Policia njofton se gjatë fundjavës janë vendosur 2106 gjoba në të gjithë vendin për shkelje të masave anti-Covid.
Nga këto, 2005 gjoba janë vënë për mosvendosjen e maskës mbrojtëse; 7 masa për shkeljen e vetëkarantinimit të detyrueshëm; 9 masa për subjektet që nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes dhe 85 masa për këmbësorët që janë konstatuar duke lëvizur pas orës 22:00.
“Si rezultat i kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 2005 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 7 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë secili. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 9 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej subjekteve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 85 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




