Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me 5.6 vite burg Ervis Martinajn, por me konvertimin për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, biznesmeni pritet të përballet paraprakisht me dënimin prej 3.8 vite burg.
Akuza është për katër vepra penale: organizim lojërash fati, falsifikim letërnjoftimesh, fshehje të ardhurash dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje. Megjithatë, deri në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, Martinaj do të jetë i lirë.
Mbrëmjen e 4 tetorit 2018, rreth orës 21:00, në lokalin “Monopol” në zemër të ish-Bllokut, gjatë një përplasjeje me armë zjarri, mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe shoku i tij Eljon Hato.
Në kërkim u shpall Ervin Mata dhe Merviol Bilo. Mata u dorëzua në polici dhe pas hetimeve u la i lirë, pasi rezultoi se nuk kishte lidhje me krimin.
Ndërkohë që vijon të jetë në kërkim ish-komandoja Merviol Bilo, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes.
Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për një larje hesapesh mes grupeve për shkak të veprimtarive të paligjshme.
Objektivi i sulmit dyshohet se ka qenë 39-vjecari me origjinë nga Burreli, i cili është një emër mjaft i njohur për policinë.
Para disa vitesh, ai u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015 në zonën e Linzës. Po ashtu emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme gjyqësore kundër Emiljano Shullazit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.