Ana e errët

Masakra me 4 viktima. Si u ekzekutua Loshi i Karbunarës, kushëriri i parë i Lul Cakës

Përpara se t’i rrëmbente të ëmën dhe t’ia eliminonte duke e qëlluar dhe hedhur në një kanal, Mile Cami (Fatmir Emini), kishte nisur më herët vrasjet e njerëzve më të shtrenjtë të Lulzim Cakës. E gjitha po ndodhte pasi “i tmerrshmi i Beratit” kishte vrarë vëllanë e Mile Camit, Pëllumb Petritin. Ndaj pesë muaj pas këtij krimi, Mile Cami organizoi atentatin hakmarrës për të ngushtuar influencën e Lulzim Cakës.
Në dosjen që Gazeta Si.al disponon tregohet se si pas vrasjes së Pëllumb Eminit (korrik 1997), në dhjetor i vëllai i viktimës realizon goditjen për të shkatërruar një nga njerëzit më influentë të krimit në zonën e Beratit dhe Elbasanit. Ai ishte Loshi i Karbunarës, kreu i një bande famëkeqe. Viktima njihej me këtë emër megjithëse emri i tij zyrtar është Bujar Sula. Por, përveçse një i fortë i atyre viteve të vështira, Loshi i Karbunarës ishte gjithashtu djali i tezes së Lulzim Cakës, ishte njeriu që mbështeti ngjitjen e Cakës në krim dhe që formoi një aleancë të errët mes krimit të Beratit që e përfaqësonte Lulzim Caka dhe Loshi i Karbunarës. Dy kushërinjtë e parë ishin të pandalshëm derisa Lul Caka vrau njeriun e gabuar, një krim i ndodhur për radhën e larjes së makinave.
Si u vra Loshi i Karbunarës, një nga goditjet që transformuan tërësisht Lulzim Cakën dhe e kthyen në një nga njerëzit më të frikshëm gjatë atyre viteve?
Në vendimin që Gazeta Si.al disponon vërehet se nga aktet rezulton që Loshi i Karbunarës dhe Eduart Dyrmishi po lëviznin me mjetin e tyre ‘Opel’ në bulevardin kryesor të Lushnjës. Ora 11:30, i datës 13 dhjetor 1997, ose pesë muaj pasi kushëriri i tij i parë Lulzim Caka kishte shkrepur armën dhe kishte vrarë fierakun e një njeriu tjetër të paprekshëm në jug të vendit. Loshi i Karbunarës, i cili u kishte shtirë frikën qytetarëve po udhëtonte qetësisht në bulevardin e qytetit që pothuajse e zotëronte për shkak të emrit që kishte vendosur. Një makinë tjetër është afruar paralelisht, mjeti ishte me targa false LU5805D dhe drejtohej nga Fatmir Emini. Ai ishte maskuar me një paruke me flokë të gjatë me ngjyrë të hapur. Bashkë me të gjendej edhe një person i dytë. Të dy kanë hapur zjarr njëkohësisht në drejtim të ‘Opelit’ ku gjendej Loshi i Karbunarës dhe Dyrmishi, mandej janë kthyer dhe kanë qëlluar sërish me qitje të fokusuar te Loshi i Karbunarës. Në përfundim të breshërisë, rezultati i viktimave ishte katër të vdekur. Dy të vrarë që ishin shënjestra e atentatit Loshi i Karbunarës dhe pasagjeri tjetër. Si edhe dy kalimtarë të rastit, Plarent Kurti dhe Medi Mallia.


Gabimet që zbuluan vrasësit e maskuar
Sipas dosjes që Gazeta Si.al disponon jepet e detajuar dinamika e mëtejshme sesi vrasësit u larguan nga Lushnja drejt bazës së tyre, Fierit. Pasi kishin lënë katër të vrarë mes tyre edhe Loshin e Karbunarës. Fatmir Emini vërtet i kishte vendosur makinës targat e Lushnjës dhe ishte maskuar me paruke me gjithë bashkëpunëtorët, por në kthim më tepër për shkak të defekteve në makinën tip ‘benz’ nga nxitimi për t’u arratisur ai ka harruar në makinë dokumentet origjinale të pronësisë. Mjeti i krimit u braktis në afërsi të karburantit FISHEKU që ndodhet në hyrje të qytetit të Fierit. Nga procesverbalet e sekuestrimit dhe që disponon gazetasi.al u zbulua se goma e prapme e mjetit në krahun e djathtë ishte çarë dhe ndaj automjeti i krimit u gjet i rimorkuar nga një makinë tjetër tip ‘fuoristradë’. Në kroskot shtohet më tej u gjetën dokumentet origjinale nën emrin e Fatmir Eminit si edhe targat origjinale të ‘benzit’ Fr0211B, por edhe automatikë, granata me ndezësin të montuar, bastun inox (Mile Cami calonte).

Dëshmitë
Por, përveç provave të shumta dëshmitari okular Besnik S. pohon se e ka parë masakrën e asaj dite dhe se në timon gjendej Fatmir Emini me paruke në ngjyrë gështenjë e hapur. Dëshmitari rrëfen përshkrimin e një tjetër qytetari me emrin Pasho H. që i kishte treguar se i dyti në ‘benz’ ishte Artur Daja, i vrarë (edhe ky një nga të fortët e Lushnjës dhe kundërshtar i Aldo Bares). Gjatë hetimit paraprak, dëshmitari Pasho H. kishte thënë se njëri nga personat që kishte qëlluar ishte edhe Artur Daja.
Por për të kuptuar se sa e vështirë ishte të dëshmoje të vërtetën në gjykatë dhe se ku ishte shteti, mjafton të lexosh dëshminë e vëllait të Abedin Sulës, që është vëllai i Loshit të Karbunarës. Në gjykatë ai deklaroi “nuk e njoh të pandehurin Fatmir Emini si vrasësin e vëllait tim, nuk e di kush ma ka vrarë vëllanë, ndonëse më herët në hetimet paraprake ai kishte rrëfyer se kishte qenë i pranishëm dhe kishte parë se të vëllain ia kishte vrarë Fatmir Emini i njohur me nofkën tjetër Topalli i Fierit, ndërsa i dyti që qëllonte ishte Artur Daja (një vit më vonë ai u masakrua dhe koka e tij u shëtit në qytet nga banda e Aldo Bares). Por, duke pasur parasysh që Fatmir Emini ishte potent dhe me fuqi, nuk është habi që dëshmitari të jetë kërcënuar ashtu siç edhe ndodhi më vonë edhe me dhëndrin e Lulzim Cakës, i cili firmosi edhe një deklaratë noteriale, duke përjashtuar si autorë të rrëmbimit të Xhevrije Cakës shtetasit Bledar e Artan Yzeiri si edhe Fatmir Eminin. Siç u mësua nga dëshmitë dhëndri kishte pasur një motiv të fortë që është frika, pasi vrasësit i kishin dërguar mesazhe përmes bashkëfshatarëve me apelin “Mos i përmend emrat tanë si autorë të vrasjes së nënës së Lulzim Cakës se ndryshe do t’ia bëjmë më keq sesa ia bëmë vjehrrës së tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë