Drejtësia

Masakra e vitit 1997 në Kuçovë ku u vranë 4 policë,GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Fran Marashin

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Posaçme ka dënuar sot (10 mars 2025) me burgim të përjetshëm Fran Marashin, i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore 17 qershor 1997, ku u vranë 4 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë.

Gjykata e Posaçme e ka shpallur fajtor Marashin për të gjitha akuzat, duke i dhënë në total një dënim prej 108 vitesh burg si dhe 4 dënime të përjetshme. 

Masakra e rëndë u rigjykua nga GJKKO pas vendimit të Gjykatë së Lartë për ta rikthyer dosjen në shkallën e parë.

Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.

Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.

Nga të shtënat u vra edhe një qytetar Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari.

Që prej 13 dhjetorit të 2024-ës Fran Marshi ishte i izoluar në regjimin 41 Bis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë