Ne rrjet

Masakra e Srebrenicës, Karaxhiç dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata e Hagës ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-liderin e serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Radovan Karaxhiç, duke u shpallur fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995.
Në 2016-ën Karaxhiç u dënua me 40 vjet burg nën akuzat për krime lufte, gjenocid, persekutim, shfarosje, vrasje, dëbim ndaj popullatës joserbe në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995.
Por, Gjykata e Hagës ka kundërshtuar Apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës dhe i ka zgjatur dënimin me burgim të përjetshëm.

Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga masakra e Srebrenicës, më e rënda në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-së.
Siç ishte raportuar, Karaxhiç e ka cilësuar dënimin e tij si rezultat i një “gjykimi politik”, ndërkohë që avokatët e tij kanë insistuar se prokurorët dhe gjyqtarët kanë bërë një varg gabimesh gjatë gjykimit të tij shtatëvjeçar.
Në seancën e tij të Apelit, ai ka pati thënë se “kurrë nuk ka bërë asgjë kundër myslimanëve. Ne i konsiderojmë ata serbë me fe myslimane”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë