Gazeta Si – Policia australiane njoftoi se ka ngritur 59 akuza, përfshirë terrorizëm, kundër Naveed Akram, 24 vjeç, i cili besohet të jetë një nga dy personat, babë e bir, përgjegjës për të shtënat që vranë 15 persona gjatë një festivali hebre në plazhin Bondi të Sidneit.
Autoritetet besojnë se sulmi i 14 dhjetorit u krye nga i riu së bashku me babanë e tij, Sajid Akram, 50 vjeç, i cili u vra nga oficerët që iu përgjigjën vendit të ngjarjes.
Naveed Akram, i cili u qëllua gjithashtu nga policia, doli nga koma dje dhe aktualisht është i shtruar në spital nën mbikëqyrje të rreptë.
Autori tjetër i dyshuar, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendngjarje. Si pasojë e sulmit, 15 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sulmi kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë, gjatë një aktiviteti që shënonte natën e parë të Hanukës. Ky është sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në Australi që nga viti 1996.
Përveç akuzave për vrasje, Akram përballet edhe me 40 akuza për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe me një akuzë për shfaqje publike të simbolit të një organizate terroriste të ndaluar.
Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe seanca e parë gjyqësore u zhvillua nga shtrati i spitalit, njoftoi gjykata e New South Wales. Çështja është shtyrë për në prill 2026.
Aktualisht, 20 persona të plagosur vijojnë të trajtohen në spitalet e Sydneyt, ndërsa një person mbetet në gjendje kritike.
Policia e ka cilësuar sulmin si incident terrorist. Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ngjarja duket se ka qenë e motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik (ISIS). Sipas policisë, në automjetin e përdorur nga autorët janë gjetur flamuj “të improvizuar” të ISIS-it si dhe mjete shpërthyese artizanale (IED).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




