Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka replikuar me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka mohuar masakrën e Reçakut, ngjarje në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë të Kosovës në vitin 1999.
Përmes një deklarate për media, ajo ka thënë se në Reçak, ka ndodhur krim kundër njerëzimit dhe është e pamundur që ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviç, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike.
Ajo ka thënë se mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur dhe ka shtuar se e vërteta për Reçakun është më e fuqishme se çfarëdo propagande e Vulinit dhe bashkëmendimtarëve të tij.
Osmani ka theksuar se ata mund të bëjnë filma, por ishin faktet që ndodhën në Reçak që bënë NATO-ja të ndërhyjë në Kosovë për të ndalur gjenocidin nga Serbia.
“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviç, me propagandë po përpiqet të ndryshojë faktet historike. Në Reçak, ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vulinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, një përpjekje e përhershme e këtij shteti në marrëdhënie me Kosovën, – tha ajo. – Përpjekje të tilla, janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviçit, nga i cili nuk po arrin të shkëputet Vulini, si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”. Mohimin e masakrës së Reçakut nga Serbia e ka dënuar edhe SHBA-ja dhe BE-ja një ditë më parë.
Forcat ushtarake serbe, vranë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, një ngjarje që mobilizoi diplomacinë ndërkombëtare për të reaguar kundër Serbisë ushtarakisht.
Masakra e Reçakut, ishte një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars 1999.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




