Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se masakra e Reçakut ka qenë ngjarja ku bota përfundimisht e kuptoi se çfarë ka bërë regjimi i Millosheviçit në Kosovë.
Në ceremoni përkujtimore të 23-vjetorit të masakrës, ajo tha se regjimi gjenociadal i Millosheviçit ka kryer krime në Reçak kundër popullsisë civile të pafajshme.
“23 vjet më parë jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bëjnë nderimet e tyre, bota u neverit dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut, krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit të gjenocidal të Millosheviçit”,deklaroi Osmani.
Më tej, Osmani deklaroi se kjo masakër ka dëshmuar se Serbia kishte qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve.
“Atë ditë ‘Kodra e Bebushit’ siç njihet nga banorët lokal ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i synimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviçit . Ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve që gjendeshin në shtëpitë e tyre dhe të cilët u përballën me egërsinë e forcave policore dhe ushtarake serbe”, ka thënë ajo.
Presidentja theksoi se e vërteta për Reçakun është e fuqishme dhe nuk mund të ndryshohet.
“Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme, për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut. E Reçaku ishte një nga masakrat e shumta të tmerrshme. Mohimi i fakteve të luftës përmes rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. E vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagandë nga bashkëpunëtorët e Millosheviçit ”, ka thënë ajo.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në ceremoninë e organizuar nga kryeministria, tha se mohimi i masakrës së Reçakut dhe lavdërimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon përsëri në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.