Drejtësia

Masakra e Lushnjës në 2017-ën, SPAK kërkon burg përjetë për Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin

Prokuroria Speciale ka kërkuar burgim të përjetshëm për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshi, dy prej të akuzuarve për vrasjen e dyfishtë në 11 tetori 2017 në Lushnjë, ku u ekzekutuan Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Në këtë ngjarje, po shtu mbetën të plagosur edhe Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Sipas dosjes hetimore, ngjarja ndodhi pasi Bilbili dhe Kaloshi tentuan të vrisnin nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin, por mbetën të vrarë miqtë e tij, Latifi dhe Hoxha.

Ndërkohë vijon të jetë në kërkim për këtë ngjarje Laert Haxhiu, i dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje. Prokuroria e Posaçme i akuzon të tre si pjesëmarrës në grup kriminal dhe autorë të disa vrasjeve me paramendim në zonën e Lushnjës dhe jo vetëm.

Prokurorja e SPAK, Dolorez Musabelli, ka lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj këtyre shtetasve duke kërkuar për ta burg përjetë.

Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.

Bilbili, ka qenë jo vetëm një nga personat më të kërkuar në rrethin e Lushnjës e në Shqipëri, por edhe në kërkim ndërkombëtar.

Ai u arrestua në Tiranë në zonën e “Xhamllikut” gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë, pas përplasjes me efektivët që kryenin kontrollin në territor.

Ndërsa Anterio Kaloshi, u arrestua në 13 gusht, pasi bashkë me disa persona të tjerë qëlluan me kallashnikov drejt Hotel Volorekës në Pogradec në 8 gusht 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë