Drejtësia

Masakra e Dobraçit me 4 viktima / SPAK merr në dorë dosjen, dyshohet se u krye nga një grup kriminal

Gazeta Si – Dosja e të ashtuquajturës “Masakra e Dobraçit” në Shkodër, ku humbën jetën Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha, i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas burimeve, Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup kriminal, vepër që është kompetencë e SPAK-ut.

Sapo dosja të administrohet në protokoll, pritet të hidhet shorti, prej nga ku do të caktohet grupi hetimor i posaçëm për nisjen e hetimeve të thelluara.

Objektiv i atentatit dyshohet se ishin dy nga viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe një tjetër, që mendohet se udhëtonte me ta në makinë, por që nuk është identifikuar ende nga autoritetet.

Dyshimet kryesore të hetuesve jnë për praninë e vëllait të tij, Ibrahim Licin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjithnjë sipas burimeve, mësohet se Ibrahim Lici, ka marrë dy plumba dhe të jetë dërguar në spital për mjekim.

Lici rezulton në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë arsye policia kërkon që ta arrestojë për veprat penale që akuzohet, por edhe në funksion të ngjarjes së Shkodrës.

Ndërkohë, nga atentati, 23-vjeçari Hamza Lici, i cili ishte në drejtimin e makinës tip “Benz” humbi kontrollin e saj dhe përplasi çiftin e bashkëshortëve Basha.

Një makinë tip “Land Rover” model i ri i djegur u gjet në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj u gjetën dy automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.

Nga ana tjetër, në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.

Deri më tani, policia ka përcaktuar dhe ka arritur të zbulojë se makina tip “Range Rover”, e përdorur në atentat është vjedhur në Durrës disa kohë më parë.

Atentati risolli edhe një herë në vëmendje konfliktin e ashpër shumëvjeçar mes fiseve Bajri dhe Lici.

Policia e Shkodrës shoqëroi pas ngjarjes disa persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Bajri, por ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi autorët, të cilët dyshohet se mund të kenë qenë brasës me pagesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë