Katër persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një sherri për shezlonatnë plazhin e Velipojës.
Personat e përfshirë në këtë përplasje të armatosur janë pronarë hotelesh në zonën e plazhit dhe punonjës shezlonash.
Hotelet e tyre janë vetëm 50 metra nga njëri-tjetri.Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnate, që teorikisht është orari ku ndalohet lëvizja për shkak të pandemisë.
Viktimat janë Kujtim Ferracaku, dhe 2 anëtare të familjes Gocaj, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj. I vdekur ka mbetur edhe Myzerim Zeneli, punonjës i shezloneve, vetëm 20 vjeç.
Të plagosur në këtë ngjarje kanë mbetur vëllai i Kujtim Ferracakut si dhe Elmilind Dyli. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i vrarë në atentat të ndodhur ne vitin 2018.
Palët dyshohet se u konfliktuan mesditën e djeshme për shezlongët. Kujtim Ferracaku është pronar i “Hotel Fantazia”, ndërsa ngjarja ka ndodhur 50 metra larg biznesit të tij.
Nē vendngjarje kanë shkuar zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe forcat special për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Policia njoftoi arrestimin e dy personave të plagosur, Hasan Ferracakut dhe Emerlind Dylit, që të dy në Spitalin e Traumës ku jan duke u mjekuar për plagët e marra në shkëmbimin e zjarrit. Vendimi për arrestimin e tyre dyshohet se është marrë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, ku të dy ata shfaqen duke shkëmbyer zjarr me vëllezërit Gocaj.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur tre vëllezër Ferracaku, kushërinj të Kujtim Ferracakut, i mbetur i vrarë dhe Hasan Ferracakut, i plagosur në ngjarjen e rëndë. Ata janë shtetasit me inicialet A.F., SH.F. dhe B.F.
Njoftimi i policisë:
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur. Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.