Nga Gazeta ‘Si’-Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë diskutuar të martën në mbrëmje(26 shtator) për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, ndaj Serbisë duhen vënë sanksione edhe nëse dëshmohet roli i saj në dërgimin e armatimit në territor të Kosovës, i gjetur së fundi nga Policia e Kosovës në veri.
“Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim nga terreni vazhdimisht, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda BE-së.
Sipas tyre, në takim kanë folur përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe më pas i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Gjatë diskutimit është thënë të jetë shprehur mbështetje e plotë ndaj Lajçakut për vazhdim të dialogut mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Raundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë, i mbajtur më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Edhe para sulmeve të 24 shtatorit, disa vende i kanë kërkuar kryediplomatit evropian, Josep Borell, të mos e mbajë vetëm Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri, në maj të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




