Nga Gazeta ‘Si’-Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se më 26 maj do të organizojë “tubimin më të madh të mbajtur ndonjëherë në Serbi” para Kuvendit Kombëtar ose në sheshin e Beogradit.
Por, në mënyrë që në këtë tubim të ketë sa më shumë njerëz ai është mobilizuar që përmes disa masave të detyrojë serbët e Kosovës të shkojnë në Serbi.
Në mesin e këtyre masave, është edhe urdhri për të ndërprerë pushimet vjetore për të gjithë ata që atë ditë do të ishin në pushime.
Madje, në pikën katër të kësaj liste, iu kërkohet të gjitha ndërmarrjeve publike që të themelojnë komisione për verifikimin e pushimeve mjekësore dhe që të identifikojnë serbët që kanë hyrë në pushim mjekësor pak para 26 majit.
Këto janë masat që Vuçiç ka ndërmarrë për tubimin e datës 26 maj:
1. Të bëhen listat e aktivistëve të cilët udhëtojnë për në Beograd
2. Të angazhohen të gjitha kompanitë e transportit publik, agjencitë turistike dhe pronarët e autobusëve për të marrë me qira të gjithë autobusët për 26.05.2023.
3. Në NP, të ndërpriten pushimet vjetore për të gjithë ata që janë në pushim deri 24.05.2023
4. Të formohet në çdo NP një komision për kontrollin e pushimeve mjekësore, i cili do të lirohet nga shkuarja në tubim dhe i cili me 26.06. gjatë gjithë ditës do të bëj kontrollin e të gjithë punonjësit që janë në pushim mjekësor, me fokus të veçantë për punonjësit që kanë filluar pushimin mjekësor menjëherë përpara datës 26 maj.
5. Të njoftohen drejtorët e qendrave shëndetësore lokale, qendrave klinike, të informojnë mjekët që t’i kushtojnë vëmendje rritjes së kërkesës për pushim mjekësor në javën përpara datës 26 maj.
6. Angazhoni të gjitha furrat lokale dhe kompanitë e hotelierisë për të siguruar numrin e nevojshëm të paketave zinxhir me një sanduiç, një mollë dhe një shishe ujë.
7. Përmbajtja e sanduiçëve duhet të jetë e pasur me përdorimin e produkteve cilësore të mishit dhe produkte cilësore të qumështit, mollët dhe shishet e ujit duhet të jenë të prodhuara në Serbi.
8. Të angazhohen të gjitha shtypshkronjat vendore për të shtypur flamuj dhe materiale propagandistike me imazhin e presidentit Vuçiç dhe flamurin serb.
9. Pasditen e datës 25.05 të organizohen takime të aktivistëve që do të shkojnë në tubim dhe me ta të akordohen detaje të tilla si kush do të jetë lideri, kush do të mbajë parullën, kush do të mbajë flamurin dhe kush do të mbajë foton e presidentit Vuçiç.
Shefi i kabinetit të presidencës në Kosovë, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se grupet kriminale serbe në Veri të Kosovës po përpiqen që t’i detyrojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në tubim.
Serbia’s illegal and criminal groups in north Kosovo are in overdrive to coerce high participation of local 🇽🇰Serbs to Vučić’s May 26th rally in Belgrade:
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) May 17, 2023
📍preparing lists of all people that will travel
📍rented all available buses in north 🇽🇰
📍annulled annual leave of workers
“Po përgatiten listat e të gjitha personave që do të udhëtojnë, po merren me qira gjithë autobusët në dispozicion në veri të Kosovës, pushime vjetore të anuluara të punëtorëve. Kanë urdhëruar institucionet që të rishikojnë të gjitha lejet që u janë dhënë punëtorëve në terren dhe po ashtu të gjitha objektet shëndetësore janë paralajmëruar të mos miratojnë pushime mjekësore.
Detyruan të gjitha furrat e bukës të përgatisin pako ushqimore për njerëzit që udhëtojnë në Beograd, ndërsa detyruan të gjitha shtypshkronjat të përgatisin materiale për tubime”, ka shkruar Vela në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




