Gazeta Si – Ish-piloti brazilian, Felipe Masa, është gati të çojë në gjyq FIA-n, pasi kërkon t’i jepet titulli kampion për Botërorin e vitit 2008. Një titull që ish-ferraristi e humbi ndaj Ljuis Hemilton në kthesën e fundit.
Masa ka marrë një shtysë të fortë nga deklaratat e fundit të ish-pronarit të Formula 1, Berni Ekleston, i cili ka pranuar se nuk ka aplikuar rregulloren për anulimin e garës së Singaporit në 2008-ën.
Në atë garë Nelsinjo Pike shkaktoi në mënyrë të vullnetshme një incident për të futur në pistë ‘safety car’, me qëllimin që të ndihmonte shokun e skuadrës në atë kohë te Reno, Fernando Alonsos, të fitonte garës. ‘Safety car’ e detyroi Masën për një pit stop dhe të rikthehej në pistë i 13-ti, kurse rivali i tij kryesor, Hemilton, i 3-ti.

Në një intervistë për ‘Motorsport.com’, Masa ka thënë se do të kërkojë drejtësi, pasi ia kanë vjedhur titullin: “Më thanë se nuk mund ta ndiqja ligjërisht çështjen pas shpalljes së kampionit, edhe pse ishte e qartë se ishte një vjedhje. Në atë kohë avokatët e Ferrarit më folën për këtë rregull.
Pas 15 vitesh dëgjoj që pronari i F.1 e kishte zbuluar që në 2008-ën atë që ndodhi, bashkë me presidentin e FIA-s, dhe nuk bënë asgjë për të mos njollosur emrin e Formula 1. Është shumë e trishtë të dish se rezultati i asaj gare duhej anuluar dhe unë duhej të kisha fituar titullin.
Duhet drejtësi në një rast si ky. Kemi parë situata të ngjashme që kanë ndodhur në sport, si ai i Lens Armstrong, që u provua se ishte droguar dhe humbi të gjithë titujt. Ku është diferenca? Dua drejtësi, jo për të fituar para, por për të marrë atë që më është vjedhur”, – ka thënë braziliani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



