Trashëgimi

Marubi në UNESCO/ Bedeni: Memoria vizive e një kombi si kujtesë e botës

Nga Liridon Mulaj- Arti dhe trashëgimia kulturore shqiptare, duket se më në fund po marrin vëmendjen e duhur edhe nga organizmat ndërkombëtare. Pas “Xhubletës” si trashëgimi materiale e pranuar në vitin 2022  dhe “Kcimit të Tropojës” si trashëgimi jo materiale në vitin 2024, tashmë në “UNESCO” iu bashkohet dhe fotografia shqiptare.

Arkiva e negativëve të fotostudio Marubit,  është tashmë  pjesë e rregjistrit ndërkombëtar të kujtesës së botës që ruhet nga “UNESCO “.

Pietro Marubi

Një lajm i madh ky jo vetëm për historinë e fotografisë shqiptare por edhe për qytetin e Shkodrës, si pjesë thelbësore e mendimit dhe kulturës shqiptare.

Luçjan Bedeni: “UNESCO” e cilësoi arkivën “Marubi” si memoria vizive e një kombi, dhe vlerë e trashëgimisë botërore

Drejtori i Muzeut “Marubi” Luçjan Bedeni thotë për GazetaSi.al se ideja për ta propozuar arkivën “Marubi” në “Unesco” ka lindur në vitin 2021, ndërkohë qe shton se arkiva e Marubit është një konfirmim i bashkëkohësisë që fotografia shqiptare ka pasur me atë botërore.

“Ideja ka nisur  që në vitin 2021, kohë e cila përkon me përfundimin e digjitalizimit të koleksioneve të ketyre autorëve. Me hartimin e dosjes është marrë vetëm stafi i Muzeut “Marubi”. Përfshirja e Arkivës së negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubi është një konfirmim ndërkombëtar i bashëkohësisë që Shqipëria ka pasur me fotografinë botërore. Gjithashtu është një gjurmë e munguar prej vitesh që Shkodra , pararendëse e artit dhe kulturës shqiptare duhet ta kishte në kujtesen e botës”

Ai thekson se janë dashur shumë vite që arkiva, të nxirrej nga kushtet e këqija e deri  në fazën e digjitalizimit që është sot.

Luçjan Bedeni

“Prej 14 vitesh është punuar intensivisht për ta nxjerrë të gjithë arkivën nga kushtet e këqija , për ta bërë atë të përdorshme nga publiku. Për të arritur deri në ditën e sotme këto koleksione, është dashur të digjitalizohen, katalogohen, regjistrohen dhe konservohen. Puna është titanike sepse po flasim për arkiven më të madhe në Shqipëri. Për ne ky është fillimi dhe jo fundi i ambicjes se ku duhet ti çojmë këto koleksione”

Në fund Bedeni shpjegon dhe vlerat e kësaj arkive të pranuara tashmë edhe nga “UNESCO” dhe thotë se pranimi në “UNESCO” nënkupton më shumë angazhim të instancave shtetërore.

“Vleresimi nga UNESCO ka konsideruar elementët më të rëndesishme të cilat janë: një arkivë unike vetëm me negativë në xham, vitet e hershme të krijimit të saj, trashegimia në breza, memoria vizive e një kombi dhe historia e Shqipërise e dokumentuar në foto. Ky proces nënkupton një angazhim më të madh të instancave shtetërore dhe ndërkombëtare për ruajtjen e kesaj pasurie të Shqipërisë” përfundon Luçjan Bedeni

Kel Marubi

“Marubi” një shekull fotografi

Pak më shumë se dy dekada mbas  shkrepjes  së fotografisë së parë në histori nga Nicephor Niepce dhe Luois Daguerrë në vitin 1826, në Shkodër mbërrin italiani Pietro Marubi i cili hap studion e parë fotografike në Shqipëri por dhe në rajon. Kështu vetëm 24 vite mbas fotografisë së parë, Shqipëria tashmë kishte studion e vet fotografike, “Studio Marubi” ku  prej viti 1850 e deri në vitin 1952  (kur studio Marubi kaloi si ndërmarrje shtetërore) Pietro, e më pas trashëgimtarët Kel dhe Gegë Marubi fiksuan në objektiv historinë urbane dhe njerëzore të Shqipërisë. Këto imazhe të ruajtura përgjatë një shekulli dhe që përbëjnë dëshminë më të qartë vizuale të historisë së Shqipërisë, tashmë i përkasin edhe trashëgimisë botërore si pjesë thelbësore e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë