Futboll

Martohet kapiteni, shtyhet për të hënën ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit

Gazeta Si – Kukësi-Partizani, një nga ndeshjet kryesore të javës së 5-të të Superiores, është shtyrë një ditë. Nuk luhet të dielën, por të hënën. Për mungesë fushe? Jo, të dielën martohet kapiteni i Kukësit, Gjelbrim Taipi, dhe ekipi dëshiron të marrë pjesë në gëzimin e tij.

Kërkesa e klubit kuksian për shtyrjen me një ditë të ndeshjes është pranuar nga FSHF. Nga Partizani, të paktën për momentin, nuk ka reagim. Ndoshta ngaqë nuk dëshiron të prishë gëzimin e kapitenit të kuksianëve, por nuk është normale që një ndeshje të shtyhet, sepse martohet një lojtar.

Gjelbrim Taipi, kapiteni i Kukësit. Gazeta Si, 13 shtator 2022

Duhet një arsye e fortë për të shtyrë një ndeshje, që nga shkaqet natyrore apo mungesa e fushave. Shpresohet që të mos krijohet një precedent me këtë shtyrje, sepse do të ishte rreziku që shumë ndeshje të luheshin të hënën, pas dasmave.

Kukësi-Partizani do të luhet në ‘Kukës Arena’, në orën 15:00, të hënën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë