Nga Gazeta “SI”- Martin Camaj në shumë analiza letrare është përcaktuar si një poet hermetik. Kjo më shumë për faktin se emri i tij lidhet thuajse gjithmonë me Giuseppe Ungaretin, poetin e madh hermetik italian. Edhe ky asociim e ka një arsye, e cila mbetet në fakt tërësisht teknike: pjesëmarrja e Martin Camajt në kurset e Ungaretit, në Universitetin e Romës.
Por studiuesit më të njohur të Camajt, e po ashtu dishepujt e tij, Matteo Mandalà dhe Francesco Altimari e hodhën poshtë këtë tezë gjatë prezantimit të veprës së plotë të Camajt, në një vëllim nga Botime Onufri, aktivitet që u organizua në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare.
Profesori i Universitetit të Palermos, si dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare, Matteo Mandalà, thotë se letërsia e Martinit është keqkuptuar nga kritika shqiptare.
“Vepra e Martinit është keqkuptuar. Ai nuk ishte hermetik. Nuk i qëndronte ky përcaktim sepse ai nuk ishte i tillë. Vetëm fakti se ndoqi disa kurse të Ungarettit në Universitetin e Romës, nuk e bën atë hermetik. Mbaj mend që kur ia thashë këtë para shumë vitesh, ai më përqafoi, sepse i thashë: ‘Ju, Martin, nuk jeni hermetik.’ Maksimumi mund të jeni simbolist, çka e pranoi dhe vetë”, shprehet Mandalà.

Ai sqaron edhe prej nga e mori frymëzimin Camaj për të shkruar më vonë letërsinë e tij:
“Camaj ishte ndjekës i simbolizmit ruso-francez. Por unë dua të shtoj edhe një simbolizëm tjetër prej të cilit Martini është frymëzuar, dhe ai është simbolizmi italian. Jemi në fazën kur në Itali, në fundin e viteve ’50, nisi ajo që ne e quajmë avantgardë, që kishte përmbyllur fazën e eksperimentalizmit neorealist dhe që po hapte dyert për një fazë të re të letërsisë, ku përmendim Pasolinin, për shembull. Dhe Martini ndoqi këtë rrymë.”
Mandalà thekson se dialektet ishin mjetet e tij gjuhësore:
“Nuk kishte mjete akoma, dhe mjetet që kërkonte Martini në studimet e tij i gjente te gjuha arbëreshe. Pra, gjuha ishte sekreti i tij. Ai kërkonte nëpër dialektet arbëreshe sikur kërkohet ari nën tokë. Nga çdo fjalë ai nxirrte thelbin, nxirrte frymën e saj. Aty e ka krijuar poetikën Martini, dhe kjo nuk është hermetizëm. Ky është një përpunim i fjalës si mjet me të cilin poeti shpreh ndjenjat e veta. Këtu është merita dhe thelbi i letërsisë së Camajt.”
Në fund, Matteo Mandalà tregon edhe një detaj prej të cilit Camaj zbulon dashurinë për gjuhën shqipe dhe misionin e tij:
“E pyesja shpesh se pse ai nuk kishte shkruar në gjuhë të huaj, siç kishin bërë shumë disidentë të Europës Lindore, duke marrë famë në botë. Por ai përgjigjej gjithmonë se nuk donte famën dhe as të shiste libra. Ai donte gjuhën shqipe dhe ashtu e mbajti mbi vete gjithmonë, si një atdhe i lëvizshëm,” mbyll Matteo Mandalà.
Tezën e profesor Mandalàs e mbështet edhe albanologu dhe profesori i Universitetit të Kalabrisë, Francesco Altimari:

“Martini nuk ishte hermetik. Dhe është gabim nëse e përcaktojmë si të tillë vetëm sepse ai ndoqi disa kurse të Ungarettit. Ai ishte thellësisht simbolik dhe thoshte gjithmonë se hermetizimi i tij buronte nga prejardhja e tij, me rrënjë të thella te toka dhe te bota jonë.”
Kështu, dy nga studiuesit më të mirë të veprës së Camajt sqarojnë dilemën nëse Camaj ishte hermetik apo jo, duke e lidhur veprën e tij me simbolizmin europian dhe duke e përcaktuar atë si një vepër avantgarde që shprehet përmes mjeteve gjuhësore që burojnë nga dialektet, kryesisht arbëreshe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




