Ngjarje

Martesa e dy grave në tarracën e Bashkisë së Tiranës kur ligji shqiptar s’njeh martesën e të njëjtës gjini dhe pse Erion Veliaj e lejoi një ceremoni tani

“Pyetje nga salla; Nëse ndonjë ambasadë e vendeve mike, do merrte ambiente publike si tarraca e Bashkisë në rastin tonë për të bërë diçka joligjore sipas ligjit shqiptar si Poligami ose diçka tjetër, a do të jepej me qira si për rastin në fjalë?!"

Nga Gazeta Si - Për herë të parë në Shqipëri, pasditen e së dielës u krye një ceremoni simbolike nga një çift pjesë e LGBT. Kjo ceremoni u zhvillua në tarracën e Bashkisë Tiranë, çka dhe ka ngritur debat, si për faktin se është zhvilluar në një institucion, ndërkohë që vetë ligji nuk e njeh martesën e të njëjtës gjini, ashtu edhe nga ana fetare, ku përfaqësues të ndryshëm kanë kundërshtuar përfshirjen e fesë në një ceremoni të tillë.

Rejs Meçe, avokate, thotë për Gazetasi.al se nuk mund të kryhet një ceremoni martesore që nuk njihet me ligj në një institucion shtetëror.

“Është kundër ligjit për aq kohë sa nuk janë bërë ende ndryshime ligjore që te lejohen martesat me të njëjtin seks”, thotë avokatja Meçe.

Në arsyetimin e tyre, dy gratë thonë se tarraca e bashkisë është hapësirë publike dhe kushdo mund të ketë akses.

Këtë e kundërshton Erid Sherifi, avokat, i cili thotë se kushdo mund të ketë akses në momentin që nuk bie në kundërshtim me ligjin.

“Në momentin që vetë ligji nuk e njeh këtë martesë, si mund të lejojë bashkia këtë ceremoni, sado që thuhet se është simbolike. Ka një kufi dhe jo çdo kërkesë për një ceremoni duhet të miratohet. Në këtë rast futet në mes ligji, të cilin bashkia është e detyruar ta zbatojë”, thotë Sherifi, i cili shton se nuk vendoset mbi ligjin asnjë ‘spektakël’ apo simbolikë.

Alba Ahmetaj, gruaja e cila u martua të dielën thotë se për të marrë miratimin e kryerjes së ceremonisë në tarracën e Tiranës ka biseduar me përfaqësues të Bashkisë (pa dhënë një emër apo post) dhe ka thënë se dëshiron të kryejë një martesë në tarracë, por duke dhënë vetëm emrin e Edlira Marës, partneres së saj.

“Më vonë nuk kishim asnjë problem, pasi u konstatua se tarraca ishte e lirë në atë ditë dhe orë edhe u mbyll gjithçka”, tha në deklaratën për shtyp Ahmetaj.

Ilir Alimehmeti, anëtar i këshillit bashkiak në Tiranë thotë për Gazetasi.al se ky është një veprim antiligjor.

“Është shkelur ligji nga vetë bashkia. Nuk mundet bashkia të lejojë një ceremoni kur ligji nuk e lejon. Është njësoj sikur të lejohet një ceremoni martese midis një burri dhe një minoreneje apo një ceremoni ku një qytetar lidh martesë me gruan e dytë apo tretë, kur ligji shqiptar nuk e lejon”, shpjegon Alimehmeti, duke shtuar se nuk mundet një institucion sic është bashkia e Tiranës, të dalë kundër ligjit që kërkon nga qytetarët që të respektohet.

“Është e papranueshme që vetë institucioni, që kërkon respektimin e ligjit, ta shkelë atë”, përfundon Alimehmeti.

Hije dyshimi edhe mbi pjesëmarrjen e dy pastorëve në ceremoni

Reagime të forta ka pasur edhe nga përfaqësuesit fetarë në Shqipëri, të cilët janë distancuar menjëherë nga veprimi i dy pastorëve që ishin pjesë e ceremonisë.

Dom Pashk Markja, përfaqësuesi i Kishës Katolike thotë se “Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar”.

Gjithashtu, ai shton se lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.

“Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën”, thotë Markja.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Pastori Akil Pano i cili ka shkruar një letër drejtuar Bashkisë Tiranë dhe qytetarëve.

“Kisha “Ungjilli i Krishtit” sqaron se asnjë pastor i vërtetë ungjillor/protestant që ushtron shërbimin e tij në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, nuk mund të kryejë ose të marrë pjesë në ceremoni fetare që kundërshtojnë Shkrimin e Shenjtë dhe traditën kishtare. Martesa, siç përkufizohet nga Bibla, është ekskluzive dhe në mënyrë të pakundërshtueshme: “bashkimi civil mes një burri dhe një gruaje”, shkruan Pastori.

Nga ana tjetër, edhe imami Ahmet Kalaja ka bërë një reagim publik, duke u kujdesur që reagimin e tij kundër ta mbështesë edhe në ligj. Sipas tij, është e detyrueshme që në institucionet vendore mos të kryhen akte jo ligjore, ndaj edhe merr një shembull për të mbështetur argumentin e tij.

Pyetje nga salla; Nëse ndonjë ambasadë e vendeve mike, do merrte ambiente publike si tarraca e Bashkisë në rastin tonë për të bërë diçka joligjore sipas ligjit shqiptar si Poligami ose diçka tjetër, a do të jepej me qira si për rastin në fjalë?!"

"Distancim i domosdoshëm! Si edhe, jo më ambientet publike, apo të administratës vendore për akte jashtëligjshme! Prandaj ky problem duhet rregulluar, korrigjuar e përmirësuar”.

Kalaja thotë se barra gjithashtu bie mbi Këshillin Bashkiak që ka në të besimtarë praktikantë të feve të ndryshme.

“Të merret vendim që: Në institucionet vendore mos të kryhen akte jo ligjore!”

Dy pastorët britanikë të cilët kurorëzuan dashurinë e çiftit të së njëjtës gjini në tarracën e bashkisë së Tiranës, thanë se janë të krishterë dhe të akredituar, duke iu përgjigjur përfaqësuesve fetarë.

“Unë jam pastor në Britani dhe administroj dy kisha. Jam i kredituar nga Bashkimi Baptist Anglez dhe i autorizuar me kishën metodistë”, u shpreh pastori Andy Fitchet.

I pyetur se si ndjehet që ka bërë diçka kundër ligjit në Shqipëri, Andy tha se nuk ishte një ceremoni ligjore, por një festim i dashurisë.

Edhe politika kritikon ceremoninë

Ka qenë Ilir Meta i pari që ka reaguar për ceremoninë në Bashki, duke thënë se qeveria nuk është mandatuar për të promovuar homoseksualitetin.

“Dhe në fushatat e tyre elektorale, asnjëherë nuk e kanë patur në programin e tyre kthimin e rinisë shqiptare në homoseksualë”, tha Meta.

Akuzat për promovimin e homoseksualitetit, Ilir Meta nuk i kishte vetëm ndaj qeverisë, por edhe diplomatëve të akredituar në Tiranë.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që mos t’i nënshtrohen diktaturës homoseksuale dhe perverse që po imponohet me forcë nga lobet ndërkombëtare sepse ajo kërcënon seriozisht vazhdimësinë e kombit, por edhe të jetës”, shtoi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë