Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos vlerësoi përmirësimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europiane, përmirësim që sikundër tha komisionerja duhet të merret shembull nga vende të tjera.
Kos pritet të vizitojë Shqipërinë në muajin shkurt. Lajmi është bërë vetë me dije nga Kos teksa fliste para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që Kos i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Kos shprehet se Shqipëria ka të gjithë kapacitetet që të procesin e shqyrtimit të grupkapitujve deri në vitin 2027.
“Sa i përket Shqipërisë. Deri më tani kemi dy pretendentë kryesorë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Mali i Zi ka të gjithë kapacitetet që të përfundojë procesin e grupkapitujve deri në vitin 2026 ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim por sigurisht kjo është një punë e vështirë. Pyetja mu bë nëse i shikoj këto dy vende anëtare deri në vitin 2028. Nëse këto vende japin, atëherë këto vende duhet të na bashkohen. Unë do të shkoj në shkurt në Shqipëri dhe shpresoj që këto lëvizje që po bën dhe i gjithë ky përmirësim dhe vullnet që ky vend ka treguar duhet të merret si shembull edhe nga vendet e tjera, përfshirë Serbinë”, tha Kos.
Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tani “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.
“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.
Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.