Ka ndodhur

Tensione në Divjakë, banorët thyejnë kabinën e pagesës. Pesë protestues nën hetim

Gazeta Si – Ajo që nisi si një marshim-proteste nga banorët kundër vendosjes së traut në parkun e Divjakës, është kthyer në një përplasje me policinë.

Ata thyen xhamat e kabinës, në të cilën ishte planifikuar që të mblidhej pagesa që do të kryenin banorët që do të hynin në parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë.

Protestuesit fillimisht u mblodhën në mëngjes para Bashkisë së Divjakës, ku më pas marshuan në këmbë drejt parkut kombëtar, ku ndodhen aktualisht.

Pasi tubuesit u larguan nga parku, Policia në Divjakë ka vënë nën hetim 5 protestues, mes tyre edhe kreun e PD-së Lushnjë, Eduart Sharka për organizimin e protestës në hyrje të parkut të Divjakës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. Sh., 64 vjeç, J. M., 46 vjeç, N. Gj., 71 vjeç, D. P., 29 vjeç dhe L. Gj., 64 vjeç. Këta shtetas, ditën e djeshme, kanë organizuar një protestë në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës dhe nuk u janë bindur thirrjeve të punonjësve të Policisë, për të zhbllokuar rrugën, me qëllim normalizimin e lëvizjes në këtë zonë”, – njofton policia.

Pjesë e këtij proteste ishte dhe deputeti i PD-së Saimir Korreshi, i cili u shpreh se taksa është vendosur për ajrin e pastër.

“Këta janë duke matur pulsin e këtyre njerëzve. Është thjeshtë, një taksë ajri që kishte ngelur pa marrë. Sot këtu vihet vetëm për ajër të pastër. Nëse do ta hanë këta banorë këtu, do ta hajë gjithë Shqipëria këtë lloj takse. Është e vetmja rrugë që të çon në plazh publik. Ku është logjika”, tha deputeti demokrat Korreshi.

Kryetari i Partisë Demokratike për degën e Lushnjës, Eduart Sharka, në një prononcim për mediat tha se qëllimi kryesor i tyre është që të largojnë traun në hyrje të Parkut të Divjakës.

“Ne jemi në një marshim-protestë. Qëllimi është të largojmë atë tra, pasi është i paligjshëm. Policia ka ardhur dhe mbron një objekt të rëndësisë së veçantë, pasi duhet të vijë që të mbrojë qytetarët. E kanë ruajtur qytetarët. Ne do jemi të parët për të mbrojtur të drejtat qytetarëve”, – u shpreh Sharka.

Ministria e Turizmit sqaroi një ditë më parë se bileta do të kushtojë 50 lekë dhe do të jetë vetëm për turistët dhe jo për banorët e zonës.

Sipas ministrisë Mjedisit vendosja e traut do të ofrojë aksesin e kontrolluar në park, përveç sigurimit të të ardhurave që do të ndihmojnë në menaxhimin efektiv e të qëndrueshëm.

Të enjten, protestuesit e organizuar nga PD arritën të shkulin kabinën e vendosur për vjeljen e biletave në Parkun Kombëtar të Divjakës.

Kundër hyrjes me pagesë është deklaruar edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se vendosja e traut është e paligjshme dhe arroganca buronte nga Ministria e Mjedisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë