Ka ndodhur

Marshim kundër dhunës ndaj fëmijëve në Tiranë. Nikolla: Dënimi me vdekje jo vendimi i duhur

Aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm kanë zhvilluar një marshim-protestë në sheshin “Skënderbej” kundër dhunës ndaj fëmijëve.

Marshimi ka nisur nga sheshi dhe aktivistët janë zhvendosur më pas para Kuvendit.

Pjesë e marshimit ka qenë edhe kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla. Ajo ka thënë se po merr pjesë si nënë dhe si qytetare. Nikolla kërkoi më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët për të denoncuar dhunën.

E pyetur për nismën e familjarëve të 8-vjeçarit, të cilët po mbledhin firma për të rikthyer dënimin me vdekje, Nikolla tha se po kërkohet në një moment emocional.

“Këto janë momente të forta emocionale dhe ndoshta jo gjithmonë është vendimmarrja e duhur. Shqipëria është pjesë e standardeve të BE. Unë nuk mendoj se ky dënim do të jetë gjëja e duhur për të adresuar. Ka shumë elementë të tjerë që ne duhet t’i adresojmë. Janë vendimmarrje që nuk duhen marrë në emocione të tilla të forta”, – u shpreh kryetarja e Kuvendit

Ky organizim vjen si revoltë ndaj ngjarjes së rëndë në Fier që tronditi vendin, ku Mateo Vasiu 8 vjeç, u vra në mënyrë barbare nga fqinji i tij Klodian Çalamani në Greçalli të Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë