Politike

Marrëveshje BE, PS dhe PD e Rithemelimit: Jo ndryshimeve kushtetuese në drejtësi, as për SPAK-un

Nga Gazeta Si - Dy vjet më parë, pasi institucionet e reja të drejtësisë kishin nisur funksionimin, në punë e sipër u kuptuan disa mangësi për të cilat vetë këto institucione kërkuan përmirësime ligjore nga Parlamenti. Një grup i përbashkët pune mes maxhorancës dhe opozitës u krijua në atë kohë në Komisionin e Ligjeve për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të ngritura nga drejtësia.

Pjesë e rëndësishme e këtij grupi në nivel politik dhe nivel ekspertësh, ishin dhe dy partnerët kryesorë, bashkëautorë të reformës në drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Pas një periudhe të gjatë pritjeje, për shkak të procesit të monitorimit të të gjithë legjislacionit shqiptar nga Bashkimi Europian, këtë javë kanë mbërritur në Kuvend komentet për draftet e disa ligjeve që propozohen të ndryshohen. Ajo që bie në sy nga draftet e hartuara nga grupi i punës dhe i pranuar nga partnerët ndërkombëtare është dakordësia për të mos ndryshuar Kushtetutën.

Çfarë u refuzua?

Disa institucione të sistemit të drejtësisë kanë kërkuar prej 2 vitesh të ndryshohet Kushtetuta në disa pika. SPAK-u kërkoi të mos ketë kufizime për mandatin e prokurorëve dhe t'i jepet e drejta drejtuesit të SPAK-ut të rikandidojë. KLGJ kërkoi që këshilltarët ligjorë të emërohen gjyqtarë, por as kjo nuk është pranuar, pasi Kushtetuta përcakton se për t'u bërë gjyqtar duhet të kesh përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi të barazojë statusin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me atë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

As kjo nuk do të ndryshojë, pasi edhe statusi i kreut të ILD-së është i përcaktuar në Kushtetutë dhe si i tillë nuk mund të përfshihet në këtë paketë. Palët parlamentare, të përfshira në ndryshimet ligjore për funksionimin më të mirë të institucioneve të drejtësisë, PS, PD e Rithemelimit, Bashkimi Europian dhe SHBA kanë rënë dakord të mos preket asgjë që ka lidhje me Kushtetutën, duke bërë kujdes që të mos hapin Kutinë e Pandorës. Ekspertët vlerësojnë se nëse diçka do të ndryshojë në strukturën kushtetuese të institucioneve të drejtësisë, mund të ketë efekt zinxhir tek institucione të tjera, rrit pasigurinë në sistem dhe cënon akoma më tej produktin e punës së tyre, kur u deshën gati 3 vjet pas miratimit të ndryshimeve konsensuale në 2016-ën që këto institucione të nisnin nga funksionimi.

Me këtë qartësi politike dhe juridike janë draftuar disa ndryshime ligjore, që nuk synojnë ndryshime drastike në sistem, por kanë për qëllim përmirësimin dhe lehtësimin e punës në disa institucione. Tek këto ndryshime janë fokusuar edhe rekomandimet e ardhura këtë javë në adresë të Komisionit të Ligjeve nga misioni i Bashkimit Europian, rekomandime që Gazetasi.al i disponon të plota.

Propozimet dhe rekomandimet për SPAK-un 

Të gjithë i kanë sytë nga SPAK-u për shkak të natyrës sensitive të punës me zyrtarë të lartë të korruptuar dhe prej nga pritet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Përveç ndryshimeve kushtetuese, të gjitha kërkesat e tjera të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë pranuar nga Kuvendi me disa specifikime teknike nga ekspertët e BE-së. Një nga kërkesat e pranuar të SPAK-ut, Kuvendi ka rënë dakord të qartësojë se çfarë ndodh me prokurorët e SPAK-ut, pas mbarimit të mandatit të tyre 9 vjeçar.

Për shkak të hartës së re gjyqësore dhe shkrirjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, disa vende janë suprimuar, prandaj ligji qartëson pozicionin që do të mbajnë në sistem me mbarimin e mandatit ata prokurorë të SPAK-ut, që kanë pamundësi të rikthehen në vendet e mëparshme të punës. Sipas propozimit të bërë ata do të kenë përparësi për t’u emëruar në Prokuroritë e Apelit, një zgjidhje kjo e pranuar edhe nga ekspertët e huaj. Një tjetër propozim i SPAK-ut që ka marrë vëmendje është ngritja e një njësie shërbimi ligjor, që do të ndihmojë prokurorët me analizat dhe studimet e dosjeve penale, përgatitjen e raporteve për çështjet në gjykim, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Kjo njësi propozohet të ketë në përbërje ndihmës-magjistratë dhe jo magjistratë (avokatë), por ekspertët e BE-së nuk janë dakord që në këtë njësi të përfshihen jo magjistratët, individë nga jashtë sistemit të drejtësisë, pavarësisht trajnimit të tyre.

“Një njësi e shërbimit ligjor është e mirëseardhur. Megjithatë, është një praktikë e përhapur e BE-së në sistemet gjyqësore që vetëm magjistratët dhe ndihmësmagjistratët mund të shërbejnë në institucione të tilla të rëndësishme të nivelit të lartë të gjyqësorit, të ngarkuara me çështjet kryesore të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përjashtimet janë shumë të izoluara dhe të kufizuara. Këshilltarët ligjorë jo-magjistratë paraqesin rrezik të lartë për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit dhe duhet të përjashtohen nga objekti i dispozitës”- thuhet në komentet e mëparshme të BE dhe SHBA-së, të cilat mbeten ende në fuqi, për shkak se drafti ka mbetur i pandryshuar deri tani me argumentin se “Propozimi i partnerëve që njësia të përbëhet vetëm nga ndihmës magjistratë mbart rrezikun që pozicioni të mbetet vakant, për shkak të vendeve të tjera vakante në sistem”.

Në komentet e reja, që partnerët kanë sjellë për njësinë e re të kërkuar nga SPAK-u, theksohet domosdoshmëria që këshilltarët ligjorë të SPAK-ut të trajtohen njësoj si prokurorët apo punonjësit e tjerë, në lidhje me monitorimin e tyre dhe heqjen dorë nga privatësia. Ka edhe një çështje ku ekspertët e Euralius (BE) dhe të OPDAT-it (SHBA) nuk janë dakord me propozimet e Kuvendit. Ata kërkojnë që ekspertët e emëruar nga dy misionet më të rëndësishme në vend SHBA dhe BE pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit të kenë një zgjatje afati të misionit të tyre deri në 31 Dhjetor 2025. Ndërsa propozimi i ekspertëve të Kuvendit parashikon që misioni I BE dhe SHBA [ranë BKH-së të funksionojë deri në fund të këtij viti. Ndryshimet ligjore i japin të drejtë kreut të SPAK-ut të propozojë pezullimin e zv/drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëse ai bëhet subjekt i hetimit penal. Më parë këtë kompetencë e kishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Propozime dhe rekomandime të tjera

Përveç SPAK-ut, edhe Prokurori i Përgjithshëm, ka kërkuar qartësimin e disa kompetencave të tij, të cilat, aktualisht po kryhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Deri në këtë fazë të ecurisë së paketës ligjore, problematika e ngritur nga Olsi Çela nuk ka marrë zgjidhje nga Kuvendi i Shqipërisë, gjë që analizohet me shqetësim nga ekspertët e Bashkimit Europian.

Ne draftligjin përkatës, Prokurori i Përgjithshëm është përfshirë në disa procese të administrimit të prokurorive, por vetëm si dhënës opinion, përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të marrë vendimin. “Shqetësimi mbetet se kompetencat e KLP-së në lidhje me mbikëqyrjen e administrimit të prokurorive janë në kundërshtim me Kushtetutën. Rregullat dhe procedurat lidhur me personelin administrativ të prokurorive janë, sipas Kushtetutës, në kompetencë të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai ka kompetencën për të menaxhuar administrimin e prokurorive, duke përfshirë emërimin, ngritjen në detyrë, vlerësimin, disiplinimin e të gjithë nëpunësve civilë të prokurorive, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm.”- thuhet në rekomandimet e fundit të ekspertëve të BE-së.

Ata e theksuan këtë vërejtje, pasi Kuvendi ka bërë sqarimet e veta për këtë çështje, duke këmbëngulur se “Kushtetuta nuk është plotësisht e qartë, kur bëhet fjalë për kompetencat që lidhen me administrimin (stafin) e prokurorisë.” Kuvendi sqaron se “Përsa i përket çështjeve që lidhen me kompetencat e PG-së në lidhje me administratën e prokurorisë, drafti nuk parashikon asnjë ndryshim në përbërjen aktuale. Prandaj, kjo mbetet një kompetencë e KLP-së. Zhvendosja e këtyre kompetencave nga KLP tek Prokurori i Përgjithshëm nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën.”- thuhet në argumentet me të cilat Kuvendi kundërshton ekspertët e BE-së, që i qëndrojnë idesë se duhen rishikuar kompetencat e KLP-së për vendimet që kanë të bëjmë me administrimin e prokurorive.

“Një nxitje për tërheqjen e inspektorëve mund të jetë një skemë e përshtatshme pagash. Duke qenë se inspektorët janë duke inspektuar magjistratët në të gjitha nivelet, përfshirë Gjykatën e Lartë, rekomandohet përshtatja e pagës në nivelin e Gjykatës së Lartë, si dhe futja e një skeme të kompensimit të vështirësisë.”- thuhet në rekomandim, duke sugjeruar edhe uljen e vjetërsisë në punë të inspektorëve magjistratë, nga 15 vjet që është aktualisht, në 10 vjet, si dhe emërimin e tyre automatikisht në Apel, pas mbarimit të mandatit në ILD.

Një nga rekomandimet kryesore të ekspertëve të BE-së për çdo institucion të drejtësisë, kur bëhet fjalë për të futur në sistem njerëz të rinj, magjistratë dhe jomagjistratë është që të mos ulet standardi për çështjen e vetingut, pasurisë së individëve, profesionalizimit dhe integritetit të tyre.

Çfarë pritet?

Rekomandimet e BE-së janë vetëm njëra nga fazat e diskutimit. Deri tani nuk ka ndonjë dakordësi politike nga maxhoranca dhe opozita për ndryshimet ligjore, përveç dakordësisë se nuk duhen bërë ndryshime kushtetuese. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila drejton dhe Grupin e Punës për paketën e ndryshimeve ligjore për institucionet e drejtësisë tha në një intervistë javën e shkuar për Gazeta Si se objektivi ishte miratimi i ndryshimeve deri në fund të këtij sesioni parlamentar.

Që kjo të ndodhë, maxhorancës i duhet të lëvizë në dy drejtime. Së pari, të marrë konsensusin e partnerëve, të paktën për çështje të rëndësishme dhe, deri tani, siç duket nga rekomandimet, nuk ka dakordësi të plotë. Së dyti, të marrë konsensusin e opozitës, votat e të cilës janë të domosdoshme për të arritur pragun prej 84 votash për të tilla ndryshime ligjore. 

Nga grupi parlamentar i PD-së nuk ka ende një diskutim për këto çështje, duke qenë se edhe draftet nuk janë finale. Megjithatë, një pjesë e grupit të PD-së, e përfaqësuar nga Lulzim Basha, ka shfaqur shumë interes për ndryshimet, veçanërisht për ato që lidhen me Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Grupi i zotit Basha ka dorëzuar disa amendamente ligjore, një pjesë e të cilave gjejnë zgjidhje në variantin e Kuvendit për karrierën e prokurorëve, por çështja e zgjatjes së mandatit të tyre është një vijë e kuqe kushtetuese, e cila nuk duhet shkelur. Zakonisht, vijat e kuqe hapin edhe debatet më të mëdha politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë