Financa Personale

Marrëveshja Shqipëri-Kosovë për pensionet, negociata me Italinë dhe Gjermaninë, Greqia refuzon

Mes Shqipërisë dhe Kosovës është nënshkruar marrëveshja për sigurimin e kontributeve shoqërore nga të cilët aktualisht përfitojnë rreth 2000 persona. Gjatë mbledhjes së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë drejtuesi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astirt Hado ka shpjeguar se qytetarët shqiptarë dhe kosovarë do të jenë të barabartë për pensionet e tyre.
Marrëveshja lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit.
Sipas Hados masa e pensionit për një qytetar do të përllogaritet në bazë të kontributeve shoqërore dhe jo në bazë të shtetësisë.
I pyetur më tek nga deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, se si do të përllogariten pensionet, Hado shpjegoi se do të bëhet një mbledhje e periudhave të punës pavarësisht sistemit të pensioneve për secilin vend.
Më tej anëtarët e komisionit diskutuan edhe për marrëveshje të pensioneve për vendet e tjera. Hado dhe zëvendës ministrja e financave Olta Manjani u shprehën se janë duke realizuar dhe pritet miratimi i marrëveshjes me Italinë.
Gjithashtu, sipas tyre po punohet për të njëjtën gjë edhe me shtete të tjera si Gjermania dhe Austria, ndërsa shteti grek nuk ka shprehur asnjë interesim për bashkëpunim lidhur me çështjen e pensioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë