SHBA dhe BE njoftuan një marrëveshje të madhe për gazin natyror të lëngshëm, në një përpjekje për të reduktuar varësinë e Europës nga energjia ruse.
Marrëveshja t’i sigurojë BE-së të paktën pesëmbëdhjetë miliardë/metra kub gaz të lëngshëm natyror, që do të mbërrijë shtesë nga SHBA brenda këtij viti.
BE tashmë ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha hapat dhe reformat e nevojshme që të shkurtojë përdorimin e gazit rus si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Kjo do të nënkuptojë rritjen e importeve dhe gjenerimin e më shumë energjive të rinovueshme në tregun vendas.
Marrëveshja u njoftua të premten gjatë një vizite treditore të Presidentit amerikan, Joe Biden në Bruksel.
Biden dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen diskutuan pushtimin rus të Ukrainës dhe ofruan mbështetje të re për Kievin.
Rusia është furnizuesi kryesor me energji i Europës dhe lufta e saj me Ukrainën ka bërë që çmimet e energjisë të arrijnë nivele rekord.
Çmimet e energjisë ishin në rritje përpara pushtimit pasi ekonomitë filluan të rikuperoheshin nga kriza e Covid.
Pushtimi i Ukrainës e shtyu BE-në të zotohet të shkurtojë përdorimin e gazit rus me dy të tretat këtë vit duke rritur importet nga vendet e tjera dhe duke investuar e rritur edhe më shumë energjinë e rinovueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




