Në prag të afatit për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat e automjeteve nga Kosova dhe Serbia, zyrtarët europianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.
“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm.
Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot do të takohet ndaras me kryenegociatorët nga Prishtina dhe Beogradi, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, në një përpjekje përfundimtare për të arritur një marrëveshje për targat.
Tani për tani, e vetmja gjë e sigurt është se Lajçaku do të takohet ndaras me bashkëbiseduesit e tij nga dy vendet e Ballkanit. Nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë, kjo do të ishte një tregues se palët po i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje është e mundur.
Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.
Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.
Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.
Këto deklarata të Kurtit në Serbi i kanë parë si kërcënim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




