Politike

Marrëveshja për detin mbetet pezull

Shqipëria dhe Greqia duhet të kishin nënshkruar marrëveshjet me njëra-tjerën, përfshirë këtu atë për ndarjen e kufirit detar që në muajin prill. Ky ishte afati i parë kohor i përfolur si në Athinë, ashtu edhe në Tiranë.

Gjërat nuk ecën sipas planit dhe marrëveshja u shty për në muajt e verës. U tha se samiti i Londrës ishte një mundësi ideale për këtë. Por, as në Londër nuk do të ndodhë një gjë e tillë, megjithëse ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati e lexon takimin Rama-Tsipras si një mundësi të artë për përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në procesin e bisedimeve.

“Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona”, deklaroi nga Londra, kryediplomati shqiptar.

Pengesat janë politike dhe duket se lidhen më shumë me situatën në Greqi, ku Tsipras është vënë me shpatulla pas murit nga opozita pas marrëveshjes për emrin me Maqedoninë dhe po sulmohet për marrëveshjen e mundshme me Shqipërinë.

“Ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, shtoi më tej Bushati.

Bushati akuzoi segmente të caktuara politike në Shqipëri e Greqi, që thotë se ose preferojnë status quo, ose janë kundër një perspektive të përbashkët europiane të Shqipërisë dhe Greqisë.

Për Tiranën, më shumë rëndësi se afatet ka cilësia e marrëveshjeve.

“Afatet janë shumë të rëndësishme, por është më e rëndësishme në këtë moment që flasim, cilësia e punës dhe cilësia e këtij procesi. Besojmë se ndajmë të njëjtin mendim dhe me palën greke, që nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë