Politike

Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët, Meloni: Nëse funksionon do të jetë një model për shtete të tjera

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është shprehur se marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët nëse funksionon do të jetë një model për shtete të tjera. Në një intervistë në mediat italiane, Meloni theksoi se ka shtete që kanë shfaqur interes.

”Le të themi se është bërë gjithçka që është e mundur për të ngadalësuar punën tonë, por ne vazhdojmë ta bëjmë atë punë dhe rezultatet vijnë ngadalë, apo jo? Jo me shpejtësinë që të gjithë shpresonim, por rezultatet po vijnë. Deri më sot, emigrantët e paligjshëm në rrugën e Mesdheut Qendror janë ulur me më shumë se 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra, pak nga pak kjo punë po jep fryte dhe është një rrugë e ndjekur tashmë në Bashkimin Evropian. Ndaj kam besim se edhe falë votës së qytetarëve, ne mund t’i themi përfundimisht Evropës se kjo është rruga që duhet ndjekur”, tha ajo.

“Nuk është jashtëligjshme është krejtësisht e realizueshme dhe them më shumë: nëse funksionon mund të jetë model dhe disa shtete po na pyesin se si funksionon. Dje ishte kryeministri i Çekisë, folëm gjatë për këtë, ai tha: ‘Giorgia, a mund të më shpjegoni qartë se si funksionon marrëveshja me Shqipërinë? E konsideroj shumë interesante, për mendimin tim është një iniciativë që duhet të përsëritet”. Pra, tashmë ka një debat që është zhvendosur. Është e qartë se këtu vota e qytetarëve bëhet thelbësore për të forcuar këtë linjë”, tha Meloni.

Emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Në portin e Shëngjinit aty ku pritet të mbërrijnë emigrantët e parë në muajin nëntor, punimet kanë ecur me ritme të shpejta. Investimi me vlere 653 milion euro po bëhet me fonde të qeverisë italiane bazuar në marrëveshjen Rama-Meloni firmosur në nëntor 2023. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një vit është 36 mijë persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë