Ka ndodhur

Marrëveshja me Pfizer “top sekret”? Sesioni i ri parlamentar nis me debate

Sesioni i ri Parlamentar, i fundit para zgjedhjeve të 25 prillit nisi këtë të hënë me Himnin Kombëtar të luajtur në sallë, pasuar nga fjala e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
Kryeparlamentari Ruçi tha se një sukses i sesionit të kaluar ishte ngritja e Gjykatës Kushtetuese, bërja e saj funksionale.
Por, Ruçi shtoi se tërmeti dhe pandemia e ndikuan shumë sesionin që lamë pas.
Sa i përket reformës në drejtësi, kryeparlamentari tha se ajo po funksionon, se po ashtu u miratua reforma zgjedhore me të cilën shkojmë në zgjedhje. Ruçi vlerësoi lart mundësinë e votës së emigrantëve për herë të parë kjo në histori.
Një tjetër arritje ishte, më 26 mars 2020, ku u shpreh se KE miratoi vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, marrëveshja e Shqipërisë me kompanitë që kanë prodhuar vaksina kundër koronavirusit, mes të cilave është edhe Pfizer, e cila ka sjellë tashmë një dozë vaksinash në Shqipëri, ka shkaktuar debat.
Për deputetin Ralf Gjoni kjo është një tallje e ekzekutivit, pasi nuk ka bërë transparente marrëveshjet, që i kushton miliona lekë buxhetit. Por, në sqarimin e tij, kryeparlamentari Ruçi u shpreh se marrëveshja është bërë publike në Konferencën e Kryetarëve dhe është kërkuar që t’iu jepet edhe deputetëve.
“Të lutem, avash, një minutë. Unë bëra një propozim. S’kemi të bëjmë me tallje të ekzekutivit dhe s’ka vend për ta thënë këtë. Më dëgjo, se unë të dëgjova. Të dy aktet unë i kam bërë publike në Konferencën e Kryetarëve, ku kam artikuluar fjalinë “nuk do të botohen”, por deputetët duhet të njihen absolutisht me to. Kështu që s’ka asgjë këtu për transparencë. Kjo është një kërkesë për të gjitha parlamentet dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, u shpreh Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë