Ngjarje

Marrëveshja me Italinë, Meloni: Brenda javës riatdhesohen 25% e emigrantëve në Shqipëri

Nga Gazeta Si- “Do të funksionojnë”, tha Giorgia Meloni, duke iu referuar kampeve të emigrantëve në Shqipëri. Për ta përsëritur konceptin, në Senat, gjatë pyetjeve, ajo njoftoi se “deri në fund të kësaj jave, mbi 25% e emigrantëve të ndaluar do të jenë riatdhesuar tashmë”. Dhe, sipas mediave italiane, kjo përqindje përkthehet në 9 emigrantë.

Kjo procedurë në kohë të shpejtë, për kryeministren Meloni, është tregues i mirëfunksionimit të strategjisë së dy vendeve Shqipëri-Itali.

Lidhur me politikat për menaxhimin e flukseve emigratore, Meloni theksoi faktin se “ne duam një Itali që më në fund është e aftë të zbatojë rregullat, të jetë e pakompromis me ata që kryejnë krime dhe të mbrojë sigurinë e qytetarëve të ndershëm”, deklaroi Meloni në fjalën e saj në Senat.

Kryeministrja shprehu vendosmërinë për çuarjen përpara të reformave institucionale dhe të drejtësisë, ndërsa vendosi theksin te zbatimi i strategjisë për menaxhimin e emigrantëve të parregullt nëpërmjet qendrave të ngritura në Gjadër e Shëngjin.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 22 shkurt 2024 marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët me 77 vota pro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë