Politike

Marrëveshja me BE, Bardhi: Duam garanci që lekët e Brukselit të mos shkojnë për vila, siç ndodhi me fondet e IPARD

Projektligji për marrëveshjen me BE për programin e tregut të përbashkët ka përplasur Partinë Socialiste në Kuvend me opozitën, ku deputetët e PD-së së Rithemelimit kanë kërkuar praninë e Ministrit për t’iu përgjigjur pyetjeve.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje me BE, jo me Federatën Ruse që mund të keni pyetje sensitive”, iu drejtua deputeti i PS-së, Pandeli Majko.

Ndërsa kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ironizoi duke u shprehur: “Nëse do të ishte marrëveshje me Federatën Ruse do ju lejonim ju të bënit pyetje sepse ju keni traditë dhe marrëdhënie të kahershme me Rusinë, buroni nga partia simotër e kësaj federate. Ekzaktësisht ka të bëjë me BE, ne kemi pyetje duam të bëjmë pyetje në lidhje me marrëveshjen. Të vijë ministri, nëse është në një vizitë zyrtare kjo çështje të shqyrtohet seancën tjetër”

Sipas Bardhit, eksperienca ka treguar se fondet e BE janë abuzuar në të shkuarën.

“Edhe në këtë rast janë  fonde të BE dhe ne do të donim të dinim, garancitë se  do të menaxhohen fondet përkatëse dhe çfarë masash do të marrë qeveria për zbatimin e marrëveshjes, që të mos na ndodhë si me fondet e IPARD që në vend të shkonin si ndihmë për bujqit shkuan për të ndërtuar vila njerëz afër pushtetit. Duhet t’i përgjigjet ministri. Ne do ta votojmë pro marrëveshjen por kemi të drejtën tonë për të ngritur shqetësime që të jemi të sigurt për votën. Nuk mund të japim votë pro që kjo marrëveshje për bizneset të shkojë për ndërtuar vilat, siç ndodhi me fondet e IPARD. Nëse këto para do të përdoren në këtë mënyrë ne do të votojmë kundër, duam të dimë mekanizmin dhe garancitë që nuk do të abuzohet me këto fonde”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë