Analize

Marrëveshja Greqi-Egjipt i hap rrugën ndarjes së detit me Shqipërinë

Egjipti dhe Greqia nënshkruan të enjten një marrëveshje që përcakton kufirin detar midis dy vendeve, duke ndarë zonën ekskluzive ekonomike për të drejtat e shpimit të naftës dhe gazit.

Pakti është një përgjigje ndaj një marrëveshje të ngjashme midis Turqisë dhe Libisë dhe jo vetëm që ka nxitur tensione në rajonin e Mesdheut Lindor, por edhe i ka hapur rrugën ndarje së kufirit detar me Shqipërinë. Kryeministri Qiriakos Mitsotaqis tha marrëveshja e nënshkruar të enjten midis Greqisë dhe Egjiptit, ka sjellë një realitet të ri në rajon, të bazuar në ligjin ndërkombëtar.

"Me Egjiptin, siç bëmë me Italinë disa muaj më parë, ne treguam se respektimi i ligjit ndërkombëtar është e vetmja rrugë drejt sigurisë, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë," tha ai. Marrëveshja u nënshkrua në Kajro nga ministrat e jashtëm të dy vendeve Nikos Dendias dhe Sameh Shoukry.

Duke qëndruar në krah të kryeministrit Mitsotaqis në një deklaratë në Athinë , Dendias tha se marrëveshja në thelb anulon memorandumin Turqi-Libi të nënshkruar vitin e kaluar i cili i çoi kufijtë e Turqisë deri në Kretë. Sidoqoftë, asnjë ministër nuk zbuloi detaje të marrëveshjes që ndan detit midis dy vendeve.

Siç pritej, Ankaraja hodhi poshtë marrëveshjen Athinë-Kajro, me Ministrinë e saj të Jashtme që deklaroi se ajo është e pavlefshme, pasi përfshin rrafshin kontinental të Turqisë, ndërsa shkel edhe të drejtat detare të Libisë.

Megjithatë, burimet diplomatike greke thanë se marrëveshja e së enjtes është pjesë e një strategjie më të gjerë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe ndërtimin e aleancave me palët e treta për të mbrojtur interesat kombëtare, duke sinjalizuar kështu se tani e kanë radhën çështjet e pazgjidhura më Shqipërinë.

Që pas arritjes së paktit detar me Italinë dy muaj më parë, Athina ka paralajmëruar për rinisjen e negociatave për detin me Shqipërinë. Vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun italian, Dendias deklaroi se Athina zyrtare do të përfundojë negociatat për ndarjen e kufirit detar me Egjiptin dhe pastaj me Shqipërinë. Tani që cëshjet e hapura me Egjiptin u zgjidhën, dosja e vetme në tavolinën e Dendias, duket të jetë ajo shqiptare.

Mediat greke shkruajnë se pas marrëveshjes me Egjipti, diplomacia greke pritet të jete e përqendruar tanimë tek vend ynë. Një sërë ekspertësh grekë këmbëngulin se metodologjia e ndjekur me Italinë, mund të përdoret edhe me vendin tonë.

Sinjali nga qeveria greke ka qenë i qartë: le të rikthehemi sërish në tryezën e bisedimeve. Ky duket të jetë një moment kyç për rinisjen e negociatave mes dy palëve, të cilat do të udhëhiqeshin në këtë rast nga ministri në Detyrë Gent Cakaj dhe zoti Dendias.

Por pas gati dy vitesh “pushim” që nga dorëheqja e ish-ministrit Niko Kotzias, marrëveshja e arritur me Italinë, dërgon një impuls që Shqipëria dhe Greqia të nxjerrin sërish nga sirtari dosjen e problemeve dypalëshe. Burime nga Ministra e Jashtme i thonë Gazetës Si se pas largimit të zotit Bushati, nuk ka pasur shumë përparime kontrete në negociatat me Greqinë, kjo edhe për shkak të qëndrimit të ashpër të palës greke për minoritetin në Shqipëri.

Por siç shkruajnë mediat greke, Athina duket se ka gjetur tanimë vullnetin t’u japë fund mosmarrëveshjeve të hapura dhe të bëjë disa lëshime që nuk i konsideronte një vit më parë.

Gazeta greke “Protothema” raporton se pas marrëvshjes së presidentit Erdogan me Libinë, nëpërmjet së cilës Turqia i çoi kufijtë deri në Kretë, Greqia ka vendosur të mbyllë të gjitha çështjet e hapura te kufijve. Dhe këtë dëshiron ta bëjë sa më parë.

“Mos ndarja e kufirit detarit me Turqinë, Qipron, Egjiptin, Libinë dhe Shqipërinë mund të krijojë precedent ligjor, që mund të përdoret nga armiqtë e Greqisë për të zgjeruar sovranitetin e tyre detar. Marrëveshja Turqi-Libi ka bërë që Athina të kërkojë nënshkrimin e marrëveshjeve së ndarjes së kufirit detar me shtetet e tjera fqinje”, shkruan gazeta.

Marrëveshja Turqi-Libi u hodh poshtë nga Egjipti, Qipro dhe Greqia si një shkelje e të drejtave të tyre ekonomike në detin e pasur me naftë të Mesdheut. Greqia dhe Turqia janë përfshirë në mosmarrëveshje për dekada mbi kufijtë e detit, por zbulimet e fundit të gazit natyror në të gjithë Mesdheun lindor kanë përkeqësuar mosmarrëveshjen.

Eksperti Glevin Dervishi thotë se vija delimituese e arritur në marrëveshjen Greqi-Egjipt e pret ne mes vijën delimituese Turqi-Libi. “Nga harta kuptohet qartë që ishulli i Kastelorizos nuk është i përfshirë në delimitim ndaj dhe kemi një marrëveshje delimituese të pjesshme, pra që nuk e përfshinte të gjithë hapësirën e mundshme që duhet të ketë mes Greqisë dhe Egjiptit. Sfida për autoritetin e Turqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor është vërtet e madhe sidomos në vazhdën e tensioneve të fundit ne këtë zonë", shkruan ai.

Edhe pse Greqia dhe Turqia janë të dy aleatët e NATO-s, ato janë përfshirë në një sërë mosmarrëveshjesh të gjata për një sërë çështjesh rajonale. Tensionet mes tyre u ndezën kohët e fundit pasi Turqia tha në 21 korrik se do të dërgonte një nga dy anijet e saj sizmike për të kryer një studim në brigjet e ishullit grek të Kastellorizos. Anijet e marinës greke dhe turke u rreshtuan për t'u përballur, por Gjermania ndërhyri për të shmangur çdo konflikt të mundshëm të armatosur.

Turqia atëherë tha se do të anulojë kërkimet sizmike në zonat e diskutuara tani për tani, si një gjest i vullnetit të mirë, duke fituar kohë për bisedime diplomatike me Greqinë. Të enjten, Athina tha se ishte e gatshme të fillojë bisedimet për demarkacionin e zonave të saj detare me Turqinë, sa më shpejt këtë muaj.

Sidoqoftë, pasi marrëveshja me Egjiptin u bë publike, Turqia tha se nuk ishte më e gatshme të dilte në tryezë për bisedime. Më pas Turqia lëshoi ​​gjithashtu një paralajmërim lundrimi, duke rezervuar zonën midis ishujve grekë Rodos dhe Kastellorizo ​​për stërvitje  ushtarake në datat 10 dhe 11 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë