Nga Gazeta ‘Si’-Në fillim të këtij muaji, hyri në fuqi marrëveshja mes 38 operatorëve telefonikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që do të mundësojë një ulje të ndjeshme të tarifave të internetit në roaming.
Kjo do t’u mundësojë përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.
Nga dy operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri, vetëm One Albania është bërë pjesë e marrëveshjes.
Sipas informacionit të publikuar nga kompania, që prej datës 1 tetor është aplikuar një ulje e ndjeshme e çmimeve të internetit.
Konkretisht, One Albania ka ulur tarifën e internetit në roaming në Zonën 1 (ku përfshihen shumica e operatorëve nga vendet e BE-së), nga 60 Lekë/MB (megabajt) ne 2.4 Lekë/MB për abonentët me Parapagesë, nga 50 Lekë/MB në 2.4 Lekë/MB për abonentët me Kontratë Individuale dhe nga 40 Lekë/MB ne 2.4 Lekë/MB për abonentët me Kontratë Biznesi.
Kjo do të jetë tarifa e re standarde, në rastin kur abonentët nuk kanë paketa roaming aktive.
Tarifat e reja të internetit prekin më shumë se 1.4 milionë abonentë aktivë të One Albania (sipas shifrave të tremujorit II 2023), që do të përdorin internetin me çmime më të ulëta, në rast se përdorin numrin e tyre cellular në vendet e BE-së.
Grupi Vodafone, duke përfshirë edhe kompaninë shqiptare Vodafone Albania, nuk është bërë pjesë e marrëveshjes dhe ka preferuar të ruajë të drejtën për të ofruar tarifa preferenciale në roaming sidomos brenda rrjetit të gjerë të operatorëve Vodafone në Europë.
Nisma për uljen e çmimit të internetit në roaming filloi me nënshkrimin e Deklaratës së Roaming-ut në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar dhe është mbështetur nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Ofertat specifike do të përcaktohen nga secili prej operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, bazuar në vendimet e tyre tregtare, me një çmim tavan.
Konkretisht, operatorët ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023; 14 euro/GB duke filluar nga viti 2026 dhe 9 euro/GB duke filluar nga viti 2028.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




