Kosova

Marrëveshja e Ohrit, në rend dite edhe në samitin e BE-së

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe premten në Bruksel (22-23 mars).

Po ashtu, pajtueshmëria e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Arritjen e pajtueshmërisë në Ohër,kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell e ka quajtur “status quo të re”, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë kalimin nga një fazë e krizave në fazën e zbatimit të marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë