Shqipëria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i hap rrugë ndërmarrjes së një investimi madhor amerikan, përmes të cilit Qeveria shpreson ta shndërrojë vendin në pikë hyrëse të gazit të lëngshëm amerikan për rajonin.
Pjesë e marrëveshjes janë kompanitë amerikane Exxon Mobil & Excelerate Energy, që marrin përsipër të konvertojnë nga nafta në gaz termocentralin e Vlorës dhe vënien e tij në punë, si dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi po në këtë qytet, që do të shërbejë si portë hyrëse e gazit të lëngshëm amerikan në Ballkan.
“Termocentrali i Vlorë do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt energjisë së pastër dhe Vlora do të jetë një hap përpara për të trajtuar sfidat e energjisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Kombinimi i larmishëm i energjisë diellore, asaj të erës dhe gazit natyror të lëngshëm do të bëjë Shqipërinë një partner domethënës në rajon për këtë lloj ndryshimi”, deklaroi në fjalën e rastit ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë marrëveshje si hapja e rrugës për investimin e dytë madhor amerikan në Shqipëri, pas atij për hidrocentralin e Skavicës, që do të ndërtohet nga kompania “Bechtel”.
Për të ilustruar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, Rama solli si shembull peshën financiare të kompanive amerikane që përfshihen në këtë projekt.
“Të kesh përballë një kompani që ka të ardhura 20 herë më të larta se PBB-ja e Shqipërisë është e shkëlqyeshme. Ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar mes Shqipërisë dhe SHBA pas atij të ndërtimit të Skavicës”, tha ai.
Rama falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, pa kontributin e së cilës tha se asnjëri prej këtyre dy investimeve madhore nuk do të ishte bërë i mundur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje