Politike

Marrëdhënia e politikës me bixhozin / Nga “Fundi i Marrëzisë”, te katërfishimi i pikave të basteve dhe mbyllja totale

Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në 2013-n, në Shqipëri numëroheshin zyrtarisht rreth 1 mijë pika bastesh sportive dhe bixhozi. Ky ishte numri i atyre që vepronin në tregun formal, ndërsa në informalitet numri i atyre që përllogaritej në atë kohë shkonte deri në dyfishin e kësaj shifre.

Me qëllim formalizimin e kësaj industrie që çdo vit qarkullonte miliona euro në të zezë, qeveria e udhëhequr nga PS në koalicion me LSI-në ndërmori që në muajt e parë të saj operacionin e koduar “Fundi i Marrëzisë”.

Zyrtarisht u tha në atë kohë se aksioni u shtri në të gjithë vendin dhe në terren u angazhuan të paktën 6 mijë punonjës policie. Në përfundim të këtij operacioni Ministria e Brendshme tha se u kontrolluan 1374 subjekte, u evidentuan 542 vepra penale zhvillim i palejuar i lojërave të fatit si dhe u proceduan penalisht 534 autorë. Por, hetimi për këto raste në pjesën më të madhe dështoi pa i dërguar në gjykatë. Arsyet ishin disa, që nga procedura e ndjekur në operacionin e ngutshëm të policisë, e deri tek mungesa e ekspertëve që duhet të asistonin hetimet.

Gjithessi, bilanci i “Fundit të Marrëzisë” ishte sekuestrimi i rreth 7 mijë makinetave elektronike, që iu gjetën subjekteve që vepronin në informalitet, apo jo plotësisht në përputhje me ligjin. Ato u grumbulluan dhe zhvendosën te rezervat shtetit.

Aksioni u kritikua nga Partia Demokratike, që e cilësonte propagandë të Qeverisë.

Pjesërisht formalizimi dhe pjesërisht vetë zhvillimi i kësaj industrie bëri që në 2015, pa u mbushur dy vite nga “Fundi i Marrëzisë” numri i pikave të basteve sportive dhe bixhozit të shkonte në rreth dy mijë. Në këtë vit, Ministria e Financave propozon një ligj të ri për lojërat e fatit.

Nisma synonte rrallimin e pikave të basteve sportive përmes rritjes së taksave dhe distancës me institucionet arsimore, fetare dhe nga vetë njëra-tjetra. Por, nisma e Qeverisë u modifikua 24 orë para votimit në Parlament falë dy amendimeve të propozuara nga dy deputetë, një i PS-së dhe një i LSI-së. Ndryshimet ulën si taksat, ashtu edhe distancën.

Në propozimin e Ministrisë së Financave propozohej që kompanitë e basteve të taksoheshin 25 për qind, pika e basteve nuk lejoheshin që të hapeshin në një distancë më të vogël se 200 metra nga shkollat dhe institucionet fetare dhe një kompani nuk lejohej që të hapte më shumë se 500 pika në të gjithë territorin e vendit.

Amendimet e dy deputetëve ulën taksën nga 25 për qind e të ardhurave bruto në vetëm 15 për qind. Amendimi i dytë rriti nga 500 në 1000 numrin e pikave që një kompani mund të hapte në të gjithë vendin, ndërsa distanca nga shkollat dhe objektet fetare u reduktua nga 200 në 100 metra.

Amendimet u miratuan me 68 vota. Pro votuan një pjesë e mirë e deputetëve socialistë, deputetët e LSI-së dhe të PDIU-së, ndërsa një pjesë e mazhorancës abstenoi. Partia Demokratike votoi kundër, megjithëse edhe në radhët e saj pati abstenime, ose mospjesëmarrje në votim, pavarësisht se deputetët ishin në sallë.

Ligji parashikonte lënien kohë deri në 1 janar të 2017-s për kompanitë që të respektonin kriterin e distancës. Por, edhe ky afat u shty me propozimin e një grupi deputetësh nga PS, LSI dhe PDIU, duke e shtyrë këtë afat deri në fund të 2018-s.

Efektet e këtyre ndryshimeve thelbësore të projektligjit të Ministrisë së Financave u ndjenë shpejt. Në 2017-të, dy vite pas këtij miratimi, në të gjithë vendin numri i pikave të basteve shkoi në 4 mijë të tilla, katërfishim në krahasim me 2013-n dhe dyfishim në krahasim me 2015-n. Xhiroja vjetore e kësaj industrie vlerësohej në rreth 130 milionë euro.

Në fillim të tetorit 2018-të, tre muaj nga përfundimi i afatit të distancave dhe këtë herë pa LSI-në e PDIU-në në Qeveri, Kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen dhe nxjerrjen jashtë ligjit si të basteve sportive, ashtu edhe të makinetave. Ato që do të lejoheshin ishin vetëm kazinotë në zonat turistike dhe hotelet me pesë yje, por jashtë zonave urbane.

Ligji kaloi në Parlament, ndërsa Kryeministri Edi Rama deklaronte se “deputetët e tij kishin marrë kërcënime anonime me mesazhe telefonike në kohën që Kuvendi votonte këtë ligj”. Rama tha gjithashtu se shumica e kompanive që veprojnë në këtë sektor janë nën pronësinë e njerëzve me të shkuar kriminale.

Ligji hyri në fuqi më datë 1 janar 2019 dhe bashkë me mbylljen e pikave fizike u mbyllën edhe faqet online të kompanive të basteve. Por, ashtu siç Gazeta Si ka shtjelluar në më shumë se një shkrim, kjo industri lulëzoi shpejt në tregun e zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë