Futboll

Maroku magjik, Iranin e penalizon VAR

Ishte dita e vuajtjeve, por në fund si Portugalia ashtu edhe Spanja buzëqeshën falë fitoreve minimale përkatësisht ndaj Marokut dhe Iranit. Portugezët iu falën sërish Ronaldos për të marrë fitoren e vuajtur, ndërsa spanjollët Diego Costas që realizoi një gol karambolesk.

Por, nëse kombëtaret iberike morën tri pikët kundërshtarët e tyre treguan se hendeku i emrave të mëdhenj mes përfaqësueseve respektive nuk ka më rëndësi. Ndoshta goli i shpejtë i Ronaldos ndikoi në mënyrën e lojës së portugezëve, por merita e Marokut që mbylli për minuta me radhë Portugalinë në gjysmëfushën e saj nuk mund të mohohet.

Cristiano Ronaldo i gëzohet golit të shënuar në minutën e katërt ndaj Marokut

Qarkullimi i topit në mesfushë dhe loja në krahë thyheshin lehtësisht nga portugezët në momentin që topi hidhej tek sulmuesit maroken. Me minutat që kalonin dhe kur nuk kishin më se çfarë të humbnin, Maroku u hodh i gjithi në sulm.

Qendërmbrojtësi Mehdi Benattia u shndërrua në protagonist në më shumë se 3 raste. Dy goditje me të majtën prej tij dhe një me kokë ishin larg portës, por efektin e drithërimave mes portugezëve e shkaktuan.

Në fund të duelit të shumëluftuar, e gjithë Portugalia buzëqeshi e çliruar, ndërsa Maroku nuk mund të kapërdinte eleminimin në këtë formë. Tensionet e fushës dhe përplasjet me gjyqtarin e takimit për disa vendime, që për afrikanët ishin të padrejta u përcollën edhe jashtë terrenit të gjelbërt. Nordin Amrabat, në fushë ishte ndër më të mirë për Marokun, jashtë saj lëshoi një deklaratë të pazakontë.

Nordin Amrabat

“Dëgjova nga Pepe se gjyqtari i takimit i kërkoi portugezit në fund të pjesës së parë nëse mund t’i jepte fanelën në fund të takimit”, deklaroi mesfushori maroken për një media holandeze.

Deklarata shkaktoi jo pak konfuzion dhe hamendësime për njëanëshmëri të gjyqtarit Mark Geiger. Në fushë kjo nuk u vu re, por jashtë saj polemikat u shtuan, aq sa u desh ndërhyrja e vetë FIFA. Përmes një deklarate, FIFA mohoi pretendimet e lojtarit maroken.

“Jemi të zhgënjyer që pas ndeshjes së djeshme të grupit B, FIFA vihet në dijeni nga mediat për një deklaratë të bërë nga një lojtar maroken, që cenon punën dhe integritetin e gjyqtarit Mark Geiger. Pretendohet se gjyqtari i ka kërkuar fanelën Cristiano Ronaldos. Vetë gjyqtari deklaron me bindje të plotë se kjo nuk ka ndodhur dhe hedh poshtë akuzat që i bëhen”, thotë FIFA në deklaratën e saj.

Spanja i gëzohet golit të Diego Costas ndaj Iranit

Në mbrëmje ishte Spanja në sprovën iraniane. Duke parë rezultatin e Portugalisë, spanjollëve u duhej me patjetër fitorja për të patur vetë në dorë fatet e kualifikimit dhe për të mos e diskutuar atë në ndeshjen e fundit.

Përpjekjet e tyre të njëpasnjëshme ranë ndesh me murin e ngritur nga trajneri Carlos Queiroz. Iranianët u mbrojtën mirë për minuta me radhë, madje rrezikuan në më shumë se një rast të gjejnë golin e avantazhit.

Guximi i tyre ishte i kujdesshëm duke dalë gjithnjë përpara, pa harruar që të mbyllen hapësirat pas. Në pjesën e dytë Spanja shtoi presionin, ndërsa Irani mendoi më shumë për t’u larguar me një pikë nga ky takim. Plani iranian u hodh në erë në minutën e 54-t, kur Rezaeian godet topin për ta larguar nga zona. Fatkeqësisht për të dhe fatmirësisht për spanjollët, Diego Costa bën vetëm spondin dhe sfera përfundon në rrjetën e iranianëve.

Goli çliroi disi spanjollët, por më shumë iranianët, që nisën të dalin më shpesh përpara. Rrugën e rrjetës e gjetën në minutat e fundit, por festa e golit u prish nga VAR, që gjeti në pozicion jashtë loje autorin e golit, Ezatolahi.

Në fund, spanjollët fituan dhe ngjiten në kuotën e katër pikëve, po aq sa Portugalia dhe shkojnë më të qetë në ndeshjen e fundit ndaj Marokut.

Irani nga ana tjetër e ka vetë në dorë kualifikimin, ashtu si Portugalia. Dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën në ndeshjen e fundit të grupit, ku luhet gjithçka për gjithçka. Favoritë janë portugezët, që me vete kanë dy rezultate, fitoren dhe barazimin, ndërsa iranianëve u bëjnë punë vetëm tri pikët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë