Gazeta Si – Fitorja e dytë për Brazilin në kualifikueset amerikano-jugore për Kupën e Botës 2026. Në Lima kundër Perusë vendosi një gol i Markuinjos në minutën e fundit të ndeshjes. Mbrojtësi i PSG-së realizoi me kokë, pas një krosi të Nejmar nga këndi.
Nuk ishte një ndeshje e lehtë për Seleçaon. Brazilit iu anuluan edhe 2 gola për pozicion jashtë loje në pjesën e parë. Për goditjen me kokë të Riçarlison arbitrat morën 7 minuta kohë para monitorit të VAR-it para se të vendosnin. Ndeshja e Brazilit nuk ishte në nivelin e fitores 5-1 ndaj Bolivisë.

Në pjesën e dytë Seleçao shtoi sulmet, por pa mundur ta çante mbrojtjen e Perusë për shkak të gabimeve, mes tyre edhe të Nejmarit. Veprime që nervozuan trajnerin e përkohshëm Diniz. Falë kësaj fitoreje, në renditje Brazili ka avantazhin e golave të shënuar ndaj Argjentinës, që mundi 3-0 Bolivinë në La Paz edhe pa Mesin, i cili u la pushim.
Kupa e ardhshme e botës do të luhet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Do të ketë një format prej 48 skuadrash dhe nga Amerika e Jugut kualifikohen 6 skuadrat e para. Vendi i 7-të shkon në play-off.
Gjermania reagon pas shkarkimit të Flik. Në miqësoren me Francën gjermanët kanë fituar 2-1, me gola të Myler dhe Sane, kurse për ‘gjelat’ shënoi Grizman me penallti. ‘Pancerat’ ngrenë kokën kështu pas një serie ndeshjesh negative.

Skuadra u drejtua nga Rudi Fëler në këtë ndeshje, por ai nuk do të vazhdojë më në këtë detyrë. Drejtuesit e Federatës gjermane po punojnë për të zgjedhur njeriun që do ta drejtojë Gjermaninë në vazhdim dhe kandidati kryesor është Matias Samer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




