Futboll

Marko Verrati ‘përjetësisht’ te PSG, rinovon deri në 2026-ën

Gazeta Si – Verrati nuk lëviz nga PSG. Klubi kampion i Francës ka njoftuar zgjatjen e kontratës me mesfushorin italian deri në vitin 2026 para ndeshjes me Strasburgun në kampionat.

“PSG dhe presidenti Naser al-Khelaifi janë të lumtur të njoftojnë dhuratën për Krishtlindje, zgjatjen e kontratës deri në 2026-ën me Marko Verratin”, – ka thënë spikeri pët tifozët në stadium.

Verrati dhe Mesi. Gazeta Si, 28 dhjetor 2022

Kontrata e 30-vjeçari skadonte në 2024-ën. Verrati luajti ndeshjen e 399-të me PSG-në, por ka mundësinë ta thyejë rekordin e ndeshjeve të luajtura me këtë klub, që mbahet nga Zhan-Mark Pilorget, me 435 ndeshje. Italiani është lojtari me numrin më të madh të trofeve të fituar me klubin francez, 29 trofe.

Ai ka fituar 8 tituj kampionë në Francë (2013, 2014, 2015, 2016, 2018, 2019, 2020 dhe 2022), 6 Kupa të Francës (2015, 2016, 2017, 2018, 2020 dhe 2021), 6 Kupa të Ligës (2014, 2015, 2016, 2017, 2018 dhe 2020), 9 ‘Champions Trophies’ (2013, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 e 2022).

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të rinovoj kontratën me PSG-në, – tha Verrati. – Kanë kaluar më shumë se 10 vjet që kur kam ardhur në Paris, që për mua është si shtëpi e dytë. Kam pasur gjithmonë shumë mbështetje nga klubi dhe tifozët. Shpresoj të fitoj shumë trofe të tjerë me fanellën e PSG-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë