Teknologji dhe Inovacion

Marka kineze e celularëve që konkurron Apple dhe Samsung

Marka kineze e telefonave inteligjentë Realme ka nxjerrë në treg telefonin e saj të parë të nivelit të lartë jashtë shtetit në një përpjekje për të rritur pjesën e tregut në Europë dhe për të vazhduar rritjen e saj të shpejtë.
Kjo lëvizje e vendosi kompaninë, e cila nisi punë në 2018, kundër kompanive si Apple dhe Samsung që dominojnë segmentin e nivelit të lartë, si dhe rivalin kinez Xiaomi, i cili është rritur me shpejtësi jashtë shtetit. Telefonat inteligjentë GT 2 dhe GT 2 Pro u lançuan në Kongresin Botëror të Celularëve në Barcelonë, Spanjë. Është paraqitja e parë e kompanisë në konferencën më të madhe të tregtisë celulare në botë, duke nënvizuar dëshirën e saj për të rritur pjesën e tregut jashtë Kinës.
Realme mund të mos jetë i njohur për konsumatorët në Europën Perëndimore ose në SHBA, por është rritur me shpejtësi. Në tremujorin e katërt, Realme dërgoi 20.65 milionë telefona inteligjentë, 48% më shumë nga viti në vit, sipas të dhënave nga Counterpoint Research. Apple ndërkohë pa një rënie ndërsa Samsung pati vetëm 8% rritje.

Sidoqoftë, Realme është relativisht i vogël me një pjesë të tregut global prej vetëm 6%. Apple dërgoi rreth 81.5 milionë telefona inteligjentë në tremujorin e dhjetorit, për shembull, tregojnë të dhënat e Counterpoint Research.
Por Realme ka bërë përparim në tregjet me konsumatorë më të vetëdijshëm për çmimin, ku telefonat e tij me çmim më të ulët, por me specifika të larta kanë gjetur treg. CEO i kompanisë shpreson të ruajë atë rritje të shëndetshme këtë vit.
Realme përballet me një sërë sfidash në përpjekjen e saj për të fituar një pjesë në tregun e niveleve të larta, veçanërisht duke u përpjekur të bindë konsumatorët të blejnë pajisjet e tyre në vend të Apple, Samsung dhe madje edhe Xiaomi.
GT 2 shitet për rreth 600 dollarë, ndërsa GT 2 Pro me rreth 800 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë