Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Kosovën nesër, për herë të parë që kur ka marrë postin.
Lajmi është konfirmuar nga NATO-ja përmes një komunikate për media.
“Më 11 mars 2025, Këshilli i Atlantikut të Veriut, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, dhe zëvendëssekretaren e përgjithshme të NATO-s, znj. Radmila Shekerinska, do të vizitojë KFOR, misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë dhe Ekipin e Këshilltarëve dhe Lidhësve të NATO-s (NALT)”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim, bëhet e ditur se sekretari Rutte do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin aktual, Albin Kurti.
Përveç Ambasadorëve nga partnerët që kontribuojnë me trupa në KFOR, Rutte do të takojë edhe komandantin e KFOR-it, gjeneral Major Enrico Barduani, dhe drejtorin e NALT-it, Brigadier General Christian Nawrat.
Vizita e Ruttes vjen disa javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.
Ai deklaroi atëherë se pret formimin e një qeverie stabile dhe funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë me vendin.
Ai theksoi gjithashtu se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është një çështje e rëndësishme, duke shtuar se nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO.
Ndryshe, stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka qenë një prej çështjeve kryesore që ka dominuar diskutimet ndërkombëtare për dekada, kryesisht për shkak të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. NATO-ja ka mbi 4 mijë trupa në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



