Kombetarja

Mario Mitaj: Greqia priti vendimin tim, Kombëtarja mund të kapë vendin e dytë

Nga Fatjon Rupi - Ato minuta të luajtura me fanellën kuqezi ndaj San Marinos, ku Shqipëria fitoi 0-2, e bëjnë Mario Mitajn debutuesin e dytë më të ri në moshë në Kombëtare. Djaloshi me origjinë nga Vermoshi i provoi emocionet e kësaj fanelle në moshën 17 vjeç e 237 ditë (Çepele ka debutuar 17 vjeç e 235 ditë). Lojtari i krahut të majtë që aktivizohet me AEK-un në Greqi, emocionet e debutimit në futbollin e madh i ka përjetuar edhe në Ligën e Europës, ku trajneri e ka hedhur në fushë ndaj Leiçesterit.

Në një intervistë për Gazeta Si, Mitaj, i cili ka luajtur me kombëtaret e moshave më parë, tregon emocionet e grumbullimit dhe debutimit me Kombëtaren e madhe. Ai rrëfen se Greqia e ka kërkuar, ka takuar babnë e tij dhe e ka garantuar se beson shumë te djaloshi shqiptar, por Mitaj dëgjoi zemrën dhe vendosi të luajë për Shqipërinë.

Fanella e Mitajt para ndeshjes me San Marinon. Gazeta Si, 8 prill 2021

Pas debutimit me ekipin e parë të AEK-ut, vjen edhe debutimi me Kombëtaren. Çfarë do të thotë të veshësh fanellën kuqezi në këtë moshë të re?
Për mua thirrja në Kombëtare ishte gjithmonë një ëndërr, por duhet të pranoj se nuk e kisha parashikuar që ta arrija në këtë moshë të re. Kjo është surpriza më e bukur për një futbollist, kur shkon në Kombëtare në moshë të re.
Çfarë ambienti keni gjetur në Kombëtare në tri ndeshjet që u luajtën se fundi, si ju duket grupi i futbollistëve?
Nga momentet e para që kam arritur në hotel, jan ndierë shumë mirë, sepse i gjithë stafi i Kombëtares më është gjendur shumë afër dhe në vazhdim jam njohur edhe me lojtarët, të cilët më kanë pritur shumë mirë.
A keni biseduar me trajnerin Reja?
Po, më ka folur disa herë gjatë grumbullimit dhe më ka treguar besimin që ka tek unë. Më ka thënë se po eca me këto ritme, beson se në të ardhmen do të jem një lojtar shumë i rendësishëm për të dhe për Kombëtaten e Shqipërisë.

Mitaj gjatë grumbullimit të Kombëtares. Gazeta Si, 8 prill 2021

Si ju duket grupi i Shqipërisë, çfarë vendi mund të arrini në këto eliminatore?
Besoj se kemi lojtarë shumë të mirë dhe jam i sigurt se të gjithë lojtarët do të japin maksimumin. Ne shpresojmë për vendin e dytë të këtij grupi, që të arrijmë të futemi në kampionatin botëror.
Mund të na tregoni me pak fjalë kontaktet e para me futbollin, trajnerin e parë tuajin?
Sapo mbusha 6 vjeç, me regjistruan prindërit në një skuadër të vogël në lagjen time, sepse unë gjatë gjithë kohës rrija me një top futbolli në dorë. Aty jam stërvitur nga trajneri Kristos Papathanasiu disa vite, i cili më ka ndihmuar shumë dhe i jam shumë mirënjohës.
A ju kanë kërkuar të luani për Greqinë drejtuesit e saj?
Po, unë jam grumbulluar disa herë me kombëtaret greke të grupmoshave dhe drejtuesit grekë kanë komunikuar me babanë tim disa herë. E kanë garantuar që besojnë shumë tek unë dhe që presin vendimin tonë që t’i bashkohemi kombëtares greke. Dhe i falënderoj shumë për këtë.

Mitaj në stërvitje me kuqezinjtë. Gazeta Si, 8 prill 2021

Krahu i majtë ka qenë një problem te Shqiperia kohët e fundit. A besoni se ky rol mund të jetë juaji në të ardhmen?
Unë do të jem i gatshëm kurdo që trajneri të besojë se i nevojitem. Dhe do të bëj maksimumin që të jem në nivelin e duhur dhe të mos e zhgënjej.
Cili lojtar ju bëri përshtypje te Shqipëria gjatë grumbullimit?
Elseid Hysaj më ka pëlqyer shumë si një lojtar me shumë eksperiencë dhe i palodhur.
A keni një idhull nga Shqipëria?
Nuk e di, ngaqë nuk i njoh mirë lojtarët.

Si po ecen tek AEK-u aktualisht?
Tek AEK-u ndihem shumë mirë, klubi dhe stafi teknik ka treguar se ka shumë besim tek unë, duke më aktivizuar shumë shpesh.
A ju takojnë tifozë shqiptarë në Greqi?
Megjithëse e kaloj kohën në stërvitje ose në shtëpi dhe nuk dal shumë për arsye të pandemisë, takoj vazhdimisht tifozë shqiptarë në Greqi.
Keni shoqëri me lojtarë të tjerë shqiptarë që luajnë në Greqi?
Po, kam shumë shokë shqiptarë që janë të së njëjtës moshë me mua dhe i kam njohur në kampionatin e moshave që kemi luajtur me ta.

Mitaj me fanellën e AEK-ut. Gazeta Si, 8 prill 2021

Të ardhmen e shikon në futbollin grek, apo në një kampionat më të fortë?
Megjithëse ndihem shumëë mirë këtu tek AEK, do të dëshiroja shumë që të mund të luaj në kampionate më të forta. Sepse gjithmonë, duke luajtur me lojtarë të fortë, bëhesh edhe më i mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë