Trajneri italian i AEK-ut, Masimo Karrera, i besoi një fanellë titullari 17-vjeçarit shqiptar Mario Mitaj në sfidën me PAOK-un. Ishte ndeshja e debutimit për kapitenin e Kombëtares U-17, që ka vendosur një rekord, duke u bërë i huaji më i ri në moshë që luan titullar në historinë e AEK-ut. Paraqitja e tij është vlerësuar maksimalisht jo vetëm nga trajneri, por edhe shtypi sportiv në Greqi.
Mitaj luajti 45 minutat e para, që u mbyllën me avantazhin 1-0 të AEK-ut, ndërsa ndeshja përfundoi në barazim, 1-1. Mesfushori shqiptar e justifikoi plotësisht besimin e trajnerit Karrera, edhe pse ai e ndërroi në pjesën e dytë. Nga niveli që futbollisti shqiptar paraqiti për aq sa luajti, habiti edhe shokët e skuadrës, duke parë pjekurinë që ai shfaqi ndaj një kundërshtari shumë të fortë si PAOK-u.
Në vazhdim të kampionatit Mitaj pritet të marrë më shumë minuta dhe shumë shpejt ai mund të jetë gati edhe për trajnerin Edi Reja, i cili ka nisur një fushatë të afrimit të elementëve të rinj në Kombëtare. Interesant është fakti se Mitaj luan në krahun e majtë të mesfushës me 5 lojtarë, një pozicion delikat në Kombëtare, ku të gatshëm janë lojtarë si Trashi, Lenjani dhe Memolla. Edhe Karrera aplikon te skuadra greke të njëjtën skemë loje si Reja, me 3 mbrojtës.
Mesfushori shqiptar firmosi në gusht me AEK-un kontratën e parë në karrierë. Trajneri Karrera e ka në konsideratë, jo më kot i besoi në një ndeshje shumë të rëndësishme. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast të ngjashëm me atë të Kumbullës apo Brojës, të cilët në një moshë shumë të re, respektivisht 20 dhe 19 vjeç, janë titullarë në Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.