Treg

Marifetet me autokontrollin për të eksportuar produkte me pesticide

Nga Gazeta 'SI' - Brenda dy javësh, tre ngarkesa mandarinash më origjinë Shqipërinë janë ndaluar në vendet e BE-së për shkak të përmbajtjes së pesticideve të rrezikshme klorpirifos dhe fosmet.

Por prania e këtyre lëndëve, që sulmojnë sistemin nervor dhe endokrin të njeriut, është tregues i një zinxhiri abuzimesh në atë që quhet “autokontroll”.

Raportimin e bëri publik për herë të parë eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli. Në një komunikim me Gazetasi.al, ai shpjegoi se si mund të devijojë procesi i autokontrollit, duke nxjerrë në treg më pas produkte të kontaminuara, me qëllim përfitimi.

“Procedura e autokontrollit bëhet nga vetë subjekti që dërgon produkte jashtë Shqipërisë dhe përgjegjësia është tërësisht individuale. Problemi është se për autokontroll, që kryhet në laboratorin e brendshëm apo në rajon, mund të dërgohet një mostër e pastër, ndërkohë që sasia në kamion mund të jetë e kontaminuar. Marr fletë e analizës dhe iki”, deklaron eksperti duke theksuar nevojën

Sipas tij, plani kombëtar i ministrisë së Bujqësisë për monitorim të mostrave nuk është intensiv, duke mos garantuar kështu cilësi në produktet e tregtuara.

“Ministria e Bujqësisë ka një plan kombëtar të monitorimit të mostrave, por merr vetëm një herë. Mostrat duhet të katërfishohen. Duhet të merren gjatë të gjithë sezonit, ë fillim, në mes dhe në fund të kultivimit”, sugjeron Resuli.

Duke marrë në shembull Italinë, ku një prodhues mund të humbasë përjetë licencën nëse produkti i tij rezulton i kontaminuar, Resuli sugjeron ashpërsim të masave dhe rikujton se Kodi Penal parashikon burg për produktet jashtë standardit.

Siç kanë vërejtur dhe institucionet ndërkombëtare, Shqipëria nuk mund të shfrytëzojë potencialin e saj si eksportues për shkak të problemeve në certifikim.

Banka Botërore thekson si pengesë kryesore për eksportet e prodhimeve agrokulturore shqiptare, mungesën e certifikatës së cilësisë për kompanitë eksportuese (FSC 2200), ku vetëm dy e ofrojnë një të tillë të tillë.

Së fundmi, një analizë e  Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial gjeti se arsyet kryesore të refuzimeve të produkteve shqiptare janë mbetjet e pesticideve, 23% dhe etiketimi 22%. Shkaqe të tjera janë: kontaminimi bakterial 11%, gjendja/kontrollet higjienike 10% dhe falsifikimi/mungesa e dokumentit 8%.

Më shumë se gjysma e totalit të refuzimeve, 58% erdhi nga tregu i BE-së, ndërsa Kina përbënte një të tretën e tyre, 31%. Tregu amerikan mbulon pjesën e mbetur të refuzimeve 11%.

Resuli thotë se mostransparenca e institucioneve na lë hije dyshimi që i kemi konsumuar mandarinat që përmbajnë këto pesticide.

“Ministria thotë se ia ka dërguar fermerëve për vetëshkatërrim dhe nuk ka bërë publik procesin e shkatërrimit, probabiliti është i lartë që të jenë injektuar në tregun e brendshëm. Nuk them dot a janë konsumuar, por sjellja na lë të aludojmë dhe dyshojmë”, thotë Resuli.

Alarmi u dha më 11 dhjetor 2024 më parë nga RASFF, Sistemi alert i BE-së për sigurinë ushqimore, ndërsa në Shqipëri reagimi i parë zyrtar ishte mbrëmjen e vonë të 18 dhjetorit, pas publikimit të lajmit në media.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë