Trashëgimi

Margariti në Konferencën Botërore të UNESCO-s: Luftë trafikut të pasurive kulturore

Nga Gazeta Si - Në Meksikë është duke u zhvilluar, MondialCult 2022, Konferenca Botërore e UNESCO-s, e cila kthehet sërish në Mexico City.

Në këtë konferencë marrin pjesë 160 ministra të Kulturës nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe me temë diskutimi “Politikat kulturore dhe zhvillimi i qëndrueshëm".

Gjatë ditës së dytë të konferencës, ministrja Margariti u bë pjesë e diskutimit mbi temën "Trashëgimia dhe diversiteti kulturor në krizë".

Përmes fjalës së saj, Margariti ndau eksperiencën shqiptare, atë të përballjes me krizat lokale e globale, siç ishte tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid 19 dhe konflikti në Ukrainë.

Nga ana tjetër ka bërë me dije edhe hapat që po hedh Shqipëria në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve të pasurisë kulturore.

"Kemi fuqizuar luftën kundër trafikut të paligjshëm të pasurive kulturore përmes përmirësimit të legjislacionit dhe ngritjes së niveleve të asistencës teknike, me mbështetjen e BE. Shqipëria po luan një rol kyç në operacionet e Interpol-it, shtrirë në 28 vende. Gjithashtu kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me SHBA dhe kemi nisur një program bashkëpunimi me Italinë, që fokusohet gjithashtu në luftën kundër trafikut të paligjshëm. Paralelisht me këto hapa kemi nisur një punë sistematike të dokumentimit të trashëgimisë kulturore materiale e jomateriale përmes teknologjive digjitale", u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë