Gazeta Si – Nga 13 gushti, kur nisi sezonin me ndeshjen e Kupës ndaj Komos, e deri mbrëmjen e së premtes së 22 shtatorit, Ylber Ramadani nuk ka munguar asnjë sekondë në fushë. Brenda kësaj periudhe kohore (40 ditë) ka luajtur 8 ndeshje zyrtare (6 me Leçen dhe 2 me Kombëtaren) dhe ndoshta ka vendosur një rekord me 720 minuta aktivizim, pa llogaritur shtesat.
Leçe e tij mundi së fundi Xhenoan dhe pas 5 javësh në Serinë A e sheh veten në vend të dytë, me 11 pikë (një rekord ky për këtë skuadër), pas Interit kryesues. Dhe një dorë në këtë sukses, ashtu si dhe në atë të Kombëtares kuqezi, e ka dhënë edhe mesfushori 27-vjeçar. Një maratonomak i vërtetë.

Mesfushori shqiptar ka fituar statusin e titullarit të padiskutueshëm te Leçe në një kohë shumë të shkurtër. Kujtojmë që në merkaton e verës ai la Aberdinin dhe u transferua në Serinë A. Janë 5 ndeshje kampionati dhe 1 kupe, ku Ramadani ka qëndruar në fushë çdo 90-minutësh.
Trajneri D’Aversa beson shumë te shqiptari. E veçanta është se në kampionat, edhe pse luan në rolin e mesfushorit shkatërrues, nuk ka marrë asnjë karton të verdhë. Një tregues i qartë për rritjen e madhe të këtij lojtari.
Jo më kot ai është një pikë kyçe edhe e trajnerit Silvinjo në Kombëtaren shqiptare. Ylber Ramadani ishte titullar si në Pragë ndaj Çekisë, ashtu edhe në Tiranë ndaj Polonisë. Në të dyja këto ndeshje nuk u zëvendësua asnjëherë, falë një gjendjeje fizike për t’u admiruar. Ish-lojtari i Partizanit ndihmon shumë ekipin për të pasur ekuilibër në të dyja fazat e lojës, mbrojtëse dhe sulmuese.

Mund të duket e ekzagjeruar, sepse është një shprehje që përdoret për lojtarët e mëdhenj, por ndoshta edhe ky është rasti klasik, kur një trajner, teksa e pyesin për formacionin e mundshëm, do të thoshte: ‘Ramdani dhe 10 të tjerë!’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




