Analize

Maqedonia me këngë e valle në referendum, nën bekimin e Perëndimit

Premtime për hyrjen në BE, zotime për një të ardhme më të mirë, këngë, valle dhe festime. Kryeministri Zoran Zaev ka filluar zyrtarisht fushatën për referendumin e 30 shtatorit, nëpërmjet të cilit qytetarët do të vulosin fatin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Krah për krah me Ali Ahmetin, aleatin e tij më të madh në këtë nismë historike, kryeministri Zaev deklaroi para qytetarëve që ishin mbledhur në miting, se rruga e maqedonasve për në BE, “kalon nga Greqia”.

“27 vjet duke u zvarritur nëpër baltë ishte e mjaftueshme. Është koha për t’iu bashkuar Europës dhe NATO-s. Është koha për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. E bëra kompromisin sepse ishte e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Emri i marrëveshjes ishte i aksesueshëm për këdo. Emërtimi i marrëveshjes e mban gjallë emrin Maqedoni duke ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë”, u shpreh kryeministri. Krah tij, Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim tha se 30 shtatori është rruga e Maqedonisë për në BE dhe NATO.

https://www.facebook.com/Izlezi.ZA/videos/2230487457185324/

Por pavarësisht vendosmërisë së Zaevit dhe Ahmetit 64 parti të vogla politike po bëjnë fushatë kundër marrëveshjes, duke u bashkuar në një front opozitar të quajtur “Maqedonia po bojkoton”.

Sipas një sondazhi të realizuar së fundmi në Maqedoni, shumica e qytetarëve po planifikojnë të votojnë “po” në referendumin për ndryshimin e emrit. Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, me pranimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, 41.5 për qind e të anketuarve u përgjigjën me “Po”, ndërsa 35.1 për qind ishin kundër marrëveshjes. Sipas “Euroactiv”, dallimet mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë më të mprehta se kurrë: 88% e shqiptarëve mbështesin marrëveshjen, por vetëm 27% e maqedonasve janë pro saj.

“Referendumi do të bashkojë maqedonasit dhe shqiptarët”

Zoran Zaev nis zyrtarisht referendumin

Pas hapjes zyrtare të fushatës, BDI-ja mbajti një tubim në Shkollën Mjekësore “Nikolla Shtejn” në Tetovë, gjatë të cilit Ahmeti deklaroi se ky referendum do të bashkojë njëherë e mirë shqiptarët dhe maqedonasit. Ai theksoi se të gjithë duhet të punojnë me guxim sepse më 30 shtator, sipas tij, do të votohet për paqen, stabilitetin, marrëdhëniet më të mira ndëretnike, zhvillimin ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë.

“Duhet të punojmë me përkushtim me të gjitha partitë politike, pavarësisht nga kombësia e tyre. Veçanërisht i bëj thirrje VMRO-DPMNE-së të marrë pjesë në fushatën e referendumit, sepse edhe ajo kërkon marrëdhënie më të mira ndëretnike. Ky referendum është referendum uniteti për maqedonasit dhe shqiptarët, sepse për herë të parë kemi një kauzë të përbashkët: anëtarësim në BE dhe NATO. Ka vende në lindje të cilat nuk duan paqe, stabilitet dhe nuk duan që rajoni të lëvizë drejt Europës, por të mbetet i destabilizuar”, tha Ahmeti. Kryetari i BDI-së tërhoqi jo pak vëmendje mediatiake duke deklaruar se për fat të keq ka parti politike maqedonase dhe madje edhe shqiptare të cilët i shërbejnë, sipas tij, kësaj “errësire” nga lindja.

“Përkundrazi, me anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE, vendi ynë po fuqizohet, identiteti po forcohet, Por jashtë NATO-s dhe BE-së, Maqedonia nuk mund të mbijetojë”, tha Ahmeti.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kryetari shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Ai deklaroi se shqiptarëve iu dha nderi dhe përgjegjësia për të qenë faktorë vendimtarë të fushatës së referendumit. Ndër të tjera Xhaferi u kërkoi politikanëve të zhvillojnë fushata transparente, të drejtpërdrejta, pa diskriminim apo paragjykim dhe respekt të çdo qytetari”.

Ali Ahmeti 

“Fushata do të jetë transparente, e drejtë dhe pa diskriminim. Marrëveshja me Greqinë i hap dhe i bën të prekshme dyert për në NATO. Duam apo nuk duam këto dy çështje janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Nëse refuzojmë njërën humbasim edhe tjetrën”, theksoi ai.

Pas tij, Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, nënvizoi se më 30 shtator Maqedonia duhet të dëshmojë publikisht është pro NATO-s, BE-së dhe popullit amerikan. “Është në dorën tonë të ndërpresim çdo ëndërr të Rusisë”, deklaroi Osmani, duke theksuar dhe ai dhe Ahmeti janë shumë të shqetësuar për ndërhyrjen e fuqive të reja.

Zaev merr “bekimin” e Perëndimit

Brenda një kohe relativisht të shkurtër, Maqedonia është vizituar nga tre figura të shquara perëndimore: kancelaria gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Sebastian Kurz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Në një ofensive diplomatike për t’i dalë në krah Athinës dhe Shkupit zyrtar, tre liderët u kanë kërkuar me vendosmëri qytetarëve maqedonas të mbështesin marrëveshjen.

“Ky është një shans historik që këtij brezi i jepet vetëm një herë. Mos qëndroni në shtëpi: Shfrytëzoni mundësinë demokratike dhe thoni atë që mendoni për të ardhmen e vendit tuaj”, tha Merkel javën e kaluar në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev. Vizita e kancelarës gjermane ishte gjithçka tjetër veçse rastësi. Ajo mbërriti në Shkup Ditën e Pavarësisë, kur vetëm 27 vjet më parë, qytetarët votuan në një tjetër referendum historik për pavarësinë nga ish- Jugosllavia.  Ajo rikonfirmoi frikën më të madhe të opozitës maqedonase, duke deklaruar se Shkupi nuk ka të ardhme europiane pa i dhënë fund krizës me Greqinë.

Angela Merkel dhe Zoran Zaev 

“Mosmarrëveshja midis vendit tuaj dhe Greqisë kërkon një zgjidhje. Kështu që marrëveshja e emrit dhe çështja e anëtarësimit në BE janë të ndërlidhura, “shpjegoi Merkel. Por edhe pse  u pa duke buzëqeshur krah Zaev, kancelarja gjermane nuk pranoi të takonte presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes për emrin. Në një konferencë për shtyp Merkel konfirmoi gjithashtu se Gjermania po dërgon një këshilltar ekonomik për të ndihmuar qeverinë maqedonase si pjesë e përpjekjeve të saj për të forcuar ekonominë lokale dhe lidhjet e saj me Berlinin. Gjermania është partneri më i madh ekonomik i Maqedonisë, gati 47 përqind e eksporteve të Maqedonisë shkojnë në Gjermani.

Para bekimit të Merkel, Zaev mori edhe bekimin e shefit të NATO-s dhe atë të kancelarit austriak. Sebastian Kurz dhe Jens Stoltenberg u kërkuan gjithashtu maqedonasve të miratonin marrëveshjen me Greqinë, duke vënë në dukje se është e vetmja mënyrë që vendi të anëtarësohet në NATO.

“Ideja se keni një alternativë për të refuzuar marrëveshjen e emrit me Greqinë dhe të bashkohet me NATO-n është një iluzion absolut dhe total”, paralajmëroi Stoltenberg.

Zoran Zaev dhe Jens Stoltenberg 

Por përpjekjeve diplomatike për të nxjerrë qytetarët maqedonas para kutitë e votimit, iu bashkua papritur edhe presidenti amerikan Donald Trump. Përmes një letre dërguar Presidentit të Maqedonisë Ivanov me rastin e Ditës së Pavarësisë, shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehte përkushtimin dhe angazhimin e administratës amerikane në mbështetje të Shkupit. “Maqedonia ka shumë për të qenë krenare për këtë vit. Marrëveshja historike e Prespës zgjidh kontestin e gjatë të emrit me Greqinë dhe hap rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Marrëveshja dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrisin sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin Maqedoninë, veçanërisht në lidhje me bisedimet e ardhshme për anëtarësimin tuaj në NATO. I uroj qytetarëve të Maqedonisë më të mirën në këtë ditë të veçantë”, shkruante Presidenti Trump, duke i dhënë padyshim një shtysë të madhe Maqedonisë për të ecur përpara me referendumin. Kjo ishte ndërhyrja e parë e presidentit amerikan pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, në qershor të këtij viti. Hapi përfundimtar për zyrtarizmin e kësaj marrëveshjej do të ishte ratifikimi i marrëveshjes nga parlamenti i Greqisë, i cili do të votojë vetëm pasi Maqedonia të ketë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë