Bota

Maqedonia shpall masat e kursimit të energjisë, reduktim deri në 15% të konsumit

Nga Gazeta “SI” – Maqedonia e Veriut ka shpallur masat për kursimin e energjisë elektrike në mesin e një situate kritike për të gjithë rajonin. Qeveria ka përcaktuar të parët institucionet dhe agjencitë shtetërore për të zbatuar masat, me qëllimin e reduktimit të konsumit të elektricitetit me 15%.

“Qëllimi kryesor që duhet të arrihet është ulja e konsumit të energjisë elektrike me 15% krahasuar me muajin e njëjtë të një viti më parë. Nëse nuk arrihet ky qëllim do të pasojnë sanksione të ndryshme për drejtuesit e institucioneve të përcaktuara në kuadër të vendimeve qeveritare”, – tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Masat parashikojnë, heqjen e dritave dekorative nga objektet dhe fasadat, mospërdorimin e dritave në hapësira ku ka dritë dielli, shkëputja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, përdorimin e arsyeshëm të kondicionerëve etj.

Ato janë të detyrueshme për institucionet qeveritare dhe publike, atyre të pushtetit lokal, kompanive private dhe konsumatorët familjarë.

Masat do të hyjnë në fuqi nga 1 shtatori dhe do të zgjasin deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Autoritetet në Shkup synojnë që të mos blejnë nga jashtë energji elektrike deri në fund të këtij viti dhe prodhimin vendas ta rrisin përmes kapacitetit të termocentraleve. Megjithatë, për këtë qëllim nevojiten sasi të konsiderueshme të qymyrit që do të importohej nga jashtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë