Ne rrjet

Maqedonia e Veriut ofensivë diplomatike për hapjen e negociatave

Ndërkohë që tetori po afron, Maqedonia e Veriut duket se ka ndërmarrë një ofensivë të madhe diplomatike për të bindur të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Evropian për marrjen e një vendimi pozitiv për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka vizituar së fundmi Parisin, Berlinin dhe Brukselin, ku është takuar me presidentin Emmanuel Macron, kancelaren Angela Merkel, duke shprehur besimin e hapjes së negociatave.
I fundit që shprehu mbështetjen e tij për Maqedoninë e Veriut ishte Ministri i Gjermanisë për Cështjet Evropiane, Michael Roth pas takimit me Nikolla Dimitrov të shtunën.

“Maqedonia e Veriut meriton një mesazh të qartë nga BE: Le t’i fillojmë bisedimet e pranimit tani! Faleminderit Nikolla Dimitrov për përkushtimin e fortë pro-evropian dhe miqësinë e vërtetë. Ju dhe vendi juaj mund të mbështeteni tek ne, i dashur Nikolla! ”, shkroi Roth. Dimitrov gjithashtu u takua me Ministrin e Jashtëm Heiko Maas dhe anëtarët e Parlamentit gjerman gjatë vizitës.

Kreu i diplomacisë maqedonase është i bindur se krerët evropianë “do ta kenë të vështirë t’i thonë jo Shkupit”.

Nikolla Dimitriov, Angela Merkel dhe kryeministri Zaev. Gazeta Si, 17 shtator 2019

Dimitrov, ish-ambasador i cili dha dorëheqjen gjatë regjimit të korruptuar të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, ka lobuar në Holandë dhe vende të tjera përpara votimit për hapjen e negociatave në tetor. Ai tha se ishte “mjaft i bindur” se BE do t’i jepte Maqedonisë së Veriut dritën jeshile, edhe pse ai pranoi se kishte ende kundërshtarë të zgjerimit brenda unionit europian .

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndodhet në turne diplomatik në Suedi, Çeki, Belgjikë e vende tjera, gjithashtu për të marrë mbështetjen për procesin e integrimit evropian. Pavarësisht problemeve me të cilat përballet vendi në sferën e gjyqësorit, Osmani beson se Maqedonia e Veriut do ta marrë datën e shumëpritur të nisjes së bisedimeve me BE-në.

“Unë mendoj se me atë që kemi bërë, ne mund të bëjmë dallimin se kush ishim para tre viteve dhe kush jemi tani. Me plotë meritë mund të konstatoj se më 15 tetor Maqedonia e Veriut do të marrë datën e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Bujar Osmani.

Ndryshe nga opozita në vendin tonë, e cila nuk është angazhuat për hapjen e negociatave, partia më e madhe opozitare në Shkup, VMRO-DPMNE-ja ka bërë të ditur se po punon që vendi fqini të marrë një datë për nisjen e bisedimeve.

Nikola Dimitriov, Gazeta Si, 17 shtator 2019


“Ne po lobojnë gjithandej për hapjen e bisedimeve. Këtë çështje e kemi ngritur dhe e përsërisim në të gjitha takimet më përfaqësues ndërkombëtarë, por të gjithë jemi të vetëdijshëm se datë për bisedimet me BE-së vështirë të merret me skandalin që ka pushtuar gjyqësorin”, ka deklaruar deputeti opozitar Dimçe Arsovski.

Por ekspertet në Shkup janë të bindur se kryeministri Zoran Zaev duhet të bëjë më shumë për të marrë “bekimin” e Parisit dhe Amsterdamit për negociatat. Ai thotë se qeveria maqedonase duhet të kërkojë madje edhe shkëputjen nga Shqipëria.

“Ministrat duhet të bëjnë përpjekje, para se gjithash në takime me vendet që ende kanë dilema për negociatat me vendin tonë. Brukseli nuk është problem, por kjo nuk vlen edhe për Parisin. Aty duhet harxhuar më shumë energji. Ata duhet të lobojnë që të na ndajnë nga Shqipëria, nëse ajo përfundimisht nuk ka mbështetjen e vendeve të BE-së”, thotë Lupço Petkovski, drejtor ekzekutiv i qendrës për strategji evropiane.

Edhe gazeta prestigjoze “Financial Times” do të shkruante disa më muaj më parë se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut është komplikuar për shkak të Shqipërisë. Sipas saj, vendi ynë është më i papërgatitur për shkak të problemeve me krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.

“Shkupi përballet me komplikacione të mëtejshme për shkak të debatit brenda BE-së lidhur me mënyrën se si do ta mbanin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të bashkuar në të njëjtën udhë të anëtarësimit. Tirana shihet gjerësisht nga diplomatët si më pak e përgatitur për bisedimet e pranimit për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan “Financial Times”.

Dimitrov ka deklaruar se do të donte të ndihmonte Shqipërinë, por thekson se çdo vend do të gjykohej sipas meritave të veta. “Votuesit europianë janë skeptikë sepse ata po humbasin besimin se anëtarësimi do të mund të ndryshojë vendet kandidatei. Unë mendoj se ne duhet të jemi të rreptë në vlerësimin e vendeve, pa politizim” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë