“Më mirë një sesa asnjë”. Ky është parimi nëpërmjet të cilit Maqedonia e Veriut po kërkon shkëputjen nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE.
Në tetor, kur vendet e BE-së shtynë për të tretën herë hapjen e procesit të pranimit, shumë liderë dhe media ndërkombëtare do të thoshin se Maqedonia e Veriut i kishte përmbushur “detyrat e shtëpisë” dhe se pikëpyetja më e madhe qëndronte tek Shqipëria.
Ndërkohë që samiti i Zagrebit po afron, Nikola Dimitrov, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, ka propozuar për herë të parë gjatë një interviste për “Euronews”, dyja vendet të ndahen në procesin e hapjes së negociatave.
“Unë mendoj se suksesi i një vendi është lajm i mirë për të gjithë rajonin. Si fqinj, dhe mbi të gjitha si fqinj të mirë, ne besojmë se Tirana duhet të jetë në gjendje të fillojë rrugëtimin e saj evropian. Sigurisht një zgjidhje pozitive do të ishte më e mira. Ne duhet të punojmë për gjetjen e një emëruesi të përbashkët. Por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë ne kemi nevojë për një vrull pozitiv, jo për një dinamikë negative. Dhe një është padyshim më mirë se asnjë”, ka theksuar ai.
Kjo kërkesë ka ardhur disa muaj më parë, edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi i cili ka thënë se “paketa dyshe” do të dëmtojë vendin e tij.
“Të shkëputësh rrugën europiane të Maqedoninë e Veriut nga ajo e Shqipërisë duke i dhënë dritën jeshile Shkupit dhe duke shtyrë fillimin e bisedimeve me Tiranën, nuk është një vendim i lehtë, por është e vetmja rrugë për të ecur përpara”, deklaronte Pendarovksi gjatë gjatë vizitë në Bruksel në qershor.
"Problemi më i madh tani është shkëputja me Shqipërinë. Ajo tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe situata po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe jemi çarmatosur", është shprehur presidenti maqedonas.
Por kjo kërkesë e Maqedonisë së Veriut ka të ngjarë të bllokohet nga Franca, për shkak të kundërshtimit të fortë të presidentit francez Emmanuel Macron Gjatë një intervistë për “The Economist”, Macron i ka dhënë sot një goditje të rëndë qeverisë shqiptare, duke thënë se të gjitha vendet anëtare ishin pro-hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë
Ai zbuloi disa javë më parë se në fakt vendet e BE-së kishin dhënë dritën jeshile vetëm për Maqedoninë e Veriut. Ai akuzoi vendet e tjera anëtare të BE-së se po fshihen pas vetos franceze, duke thënë se ato kishin dhënë miratimin ishte vetëm për Shkupin.
“Pyetini këto vende nëse duan të hapin negociatat me Shqipërinë. Gjysma do t’ju thonë jo. Ata duan të nisin bisedimet vetëm me Maqedoninë e Veriut. Shumica e shteteve anëtare ishin në favor të hapjes së negociatave me Maqedoninë Veriore, por pothuajse gjysma ishin kundër negociatave me Shqipërinë. ” tha Macron në intervistë.
Por shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut sipas tij, do të ishte një gabim fatal.
“Realiteti është që nëse nuk hap negociatat me Shqipërinë krijon një traumë të tmerrshme në rajon. Komunitetet shqipfolëse janë kudo në rajon. Nëse poshtërojmë Shqipërinë, do të destabilizojmë rajonin përgjithmonë”, ka deklaruar presidenti francez.
Në intervistën për revistën britanike, Macron thotë se ai do të japë dritën jeshile për negociatat me të dy vendet, vetëm nëse bëhen reforma në muajt e ardhshëm, dhe Shkupi dhe Tirana përfundojnë disa reformat e mëtejshme.
“Prandaj, besoj se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat e anëtarësimit, ato nuk janë më adekuate. Ato nuk janë strategjike. Ata nuk janë as politike, janë tepër burokratë dhe nuk të lejojnë të bësh hapa pas nëse një vend ndalon reformat. Së dyti, nëse jeni të shqetësuar për rajonin, çështja e parë nuk është Maqedonia apo Shqipëria, por Bosnja Hercegovina. Ajo është një ‘bombë kohore’ që godet kufirin me Kroacinë”, thotë Macron. “Së treti, reformat përpara se të hapen negociatat. Nëse Shkupi dhe Tirana bëjmë reforma në muajt e ardhshëm, unë jam i gatshëm të hap negociatat. Nëse këto dy vendeë bëjnë përpjekje shtesë”, i tha presidenti francez “The Economist”.
Macron po ashtu se çfarë e motivoi të kundërshtonte anëtarët e tjerë të BE-së në samitin e tetorit në Bruksel. Ai tha se sipas llogarive të vendve të tjera anëtare, Shqipërisë do t’i duhen edhe 15 vite të hyjë në BE.
“Unë u përpoqa të jem konsistent, u thashë liderëve të tjerë ‘kemi një problem’. Ne nuk dimë si të veprojmë me 27 anëtar, a mendoni se do të jemi më mirë me 30 ose 32? Dhe ata më thanë ‘nëse ne hapim negociatat, Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’i duhen 15 vite të bëhet anëtare. Kjo nuk është e vërtetë as për qytetarët tanë, as për ato vende. Unë u thashë atyre të shikojnë se çfarë ndodhi me bashkimin bankar. Pas krizës së vitit 2008 na u deshën 20 vjet për të reformuar. Pra, edhe nëse hapim negociatat tani, ne nuk do të kemi sukses në reformimin e Unionit nëse vazhdojmë të punojmë me të njëjtën shpejtësi”, tha Macron.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.