Bota

Maqedonia e Veriut do të marrë këtë muaj 200 mijë vaksina nga Kina

Maqedonia e Veriut pritet të marrë javët e ardhshme gati 200 mijë doza vaksina nga Kina. Lëvizja e vendit fqinj për t’iu drejtuar Pekinit erdhi pas një kohë të gjatë pritjeje për vaksinat e nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe shfaqjes së variantit britanik, i cili ka cuar në rritjen e rasteve të reja.

Autoritetet shëndetësore në Shkup tashmë kanë bërë të ditur se vaksnimi kundër Covid-19 në do të nisë gjatë këtij muaji me vaksinat kineze, duke vaksinuar fillimisht mjekët dhe pastaj të moshuarit.
Venko Filipce, ministri i shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut thotë se qeveria është në “kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Kineze për të marrë vaksinat brendashkurtit.”.

“Ne jemi duke negociuar mbi detajet e marrëveshjes, përfshirë çmimin, dhe unë besoj se do t’i kemi ato detaje deri në fund të kësaj jave. Unë nuk do të doja të flisja për datën e saktë se kur të mbërrijë dërgesa, por tani u bë e qartë se prodhuesit që dolën të parët në treg, si Pfizer, tani kanë probleme me prodhimin”, tha ai. “Shumë vende europiane po marrim masa ligjore kundër prodhuesve. Kroacia, për shembull, ndaloi procesin e vaksinimit. Pra, ne duhet të punojmë praktikisht në çdo fushë në mënyrë që të sigurojmë vaksinat për një imunizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë të popullsisë.”

Maqedonia e Veriut ka regjistruar më shumë se 2,800 viktima të COVID-19 dhe shkalla e vdekjes së saj për frymë të popullsisë është ndër më të lartat në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë